U.D. Presidentja, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar vëllezërit Ylli, Agroni dhe Mehmeti Bytyqi në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke theksuar se familja e tyre vazhdon të presë drejtësi.
Ajo rikujtoi se tre vëllezërit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, u ekzekutuan nga forcat serbe pas përfundimit të luftës, ndonëse po ndihmonin dy familje rome.
Haxhiu theksoi se Serbia i njeh faktet dhe përgjegjësit, por mungon vullneti për t’i sjellë ata para drejtësisë, duke nderuar sakrificën e vëllezërve Bytyqi me mesazhin:“Lavdi e përjetshme vëllezërve Bytyqi!”.
Postimi i saj i plotë:
Sot kujtojmë vëllezërit Bytyqi, njëzet e shtatë vjet pas vrasjes së tyre. Ylli ishte 25 vjeç, Agroni 23, Mehmeti 21. Ata lanë pas jetën që kishin ndërtuar në Shtetet e Bashkuara dhe erdhën në Kosovë me Batalionin “Atlantiku”, për t’iu bashkuar luftës sonë për liri.
Pas mbarimit të luftës, më 23 qershor 1999, derisa po ndihmonin dy familje rome të kalonin drejt Serbisë, ata kaluan pa dashje vijën e pashënuar kufitare dhe u arrestuan nga policia serbe.
Ndonëse gjykata urdhëroi lirimin e tyre, vëllezërit Bytyqi u morën nga burgu, u çuan në Petrovo Selo dhe u ekzekutuan me duar të lidhura. Eshtrat e tyre u gjetën në vitin 2001 në një varrezë masive brenda bazës policore në Petrovo Selo, në Serbinë lindore, bashkë me trupat e shqiptarëve të tjerë të vrarë në Kosovë.
Njëzet e shtatë vjet më pas, familja Bytyqi ende pret drejtësi. Serbia i njeh faktet, i njeh strukturat që i kishin në dorë dhe e njeh rrugën që i çoi drejt vdekjes. Ajo që mungon është vullneti për t’i nxjerrë përgjegjësit para ligjit.
Yllin, Agronin dhe Mehmetin i kujtojmë për zgjedhjen e tyre të rrallë dhe fisnike, si tre bij të Kosovës që i dolën zot atdheut në ditët më të vështira. Pas përfundimit të luftës e dëshmuan edhe një herë madhështinë e tyre, duke u dalë në ndihmë njerëzve. Ata erdhën për ta çliruar atdheun dhe mbetën besnikë ndaj vlerave për të cilat kishin luftuar.
Lavdi e përjetshme vëllezërve Bytyqi!