Haxhiu: Kushtetueses po i bëhet presion lidhur me vendimin për rritjen e pagave nga kryeministri

Prishtinë | 19 Maj 2018 | 08:33 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zvarritja e marrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese rreth rritjes së pagave nga kryeministri Ramush Haradinaj është e qëllimshme, tha për Ekonomia Online deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu.

Haxhiu madje thotë që jo zyrtarisht ka marrë vesh që mbi Gjykatën Kushtetuese ka presion të jashtëzakonshëm lidhur me çështjen e pagave.

“Mua më duket që ka  një tendencë të qëllimshme që kjo çështje të zvarritet, mirëpo duhet theksuar faktin që pikërisht zvarritja e nxjerrjes së një vendimi në raport me këtë e lë  hapësirën e presioneve që mund të vijnë nga jashtë. Për shkak se edhe jo zyrtarisht kam kuptuar që ka presione të jashtëzakonshme mbi Gjykatën Kushtetuese në raport me vendimin që do të nxjerrë për çështjen e pagave”.

Deputetja e LVV-së thotë që kanë kaluar afër tre muaj që nga koha kur kanë proceduar në Kushtetuese vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar.

“Jemi afër tre muajve prej kohës kur e kemi proceduar në Gjykatën Kushtetuese këtë. Grupi parlamentar i LVV dhe po ashtu me mbështetjen e deputetëve të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës me thënë të drejtën ne kemi pritur qysh para një muaji që gjykata kushtetuese ta jep vendimin apo aktgjykimin në raport me kontestimin që e kemi bërë, pra vendimit për rritjen e pagave, vendimit të paligjshëm dhe arbitrar dhe jo kushtetues për rritjen e pagave”.

Ajo madje thotë që është e palogjikshme që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për çështjen e demarkacionit para kësaj të pagave, duke pasur parasysh se kjo e fundit është dërguar shumë më vonë sesa vendimi i Haradinajt për pagat.

“Është e palogjikshme se si ka  pasur mundësi Gjykata Kushtetuese ta trajtojë lëndën për çështjen e demarkacionit, që e kemi dorëzuar shumë më vonë, sesa këtë për çështjen e pagave dhe nuk po mund të trajtojë një çështje për të cilën argumentet janë të qarta dhe nuk ka asnjë mëdyshje që ai vendim është jokushtetues prandaj e ka pasur shumë të lehtë gjykata kushtetuese të veprojë më këtë çështje”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, me anë të një vendimi të datës 21 dhjetor 2017, ia ka rritur  pagën vetes, anëtarëve të kabinetit qeveritar, këshilltarëve dhe disa zyrtarëve të stafit të zyrës së kryeministrit.

Nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, paga mujore e kryeministrit ishte vendosur të jetë 2 mijë e 950 euro. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritje të pagave edhe të zëvendëskryeministrave dhe ministrave. Rroga për një ministër ka arritur në 2 mijë euro nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.

Mirëpo, ky vendim është pezulluar pas konstatimit nga Agjencia Kundër Korrupsionit  se rritja e pagave është konflikt interesi, që do të duhej trajtuar sipas ligjit në fuqi.

 

 

Të ngjashme