Haxhiu: Me Kurtin kryeministër s’do të ketë nevojë për gaz lotsjellës

Prishtinë | 23 Qer 2025 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas shtyrjes së seancës gjyqësore për hedhjen e gazit lotjsellës në Kuvend, tha se ky proces është i padrejtë, raporton Ekonomia Online.

“Pothuajse janë dhjetë vjet që po përballemi me këtë proces të padrejtë. Por, ja që rregullat e kërkojnë të jemi këtu. Ndonëse ne kemi seancë të Kuvendit në orën 11:00 isha e pranishme. Seanca gjyqësore u shty për 2 shtator. Komplet është e pakuptimtë kjo zvarritje. Ne akuzohemi për mbajtjen në pronësi. Ato kanë qenë veprimet politike të ndalim demarkacionin me Malin e Zi dhe po ashtu në shenjë kundërshtimi për Zajednicën”, tha Haxhiu.

E pyetur nga gazetarë nëse do ta duronte gazin lotsjellës në rast se do të zgjidhej kryetare e Kuvendit, Haxhiu tha se nuk do të ketë nevojë për veprime të tilla.
Ajo tha se nuk e sheh të nevojshme përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend, përderisa Albin Kurti është kryeministër.

“Nëse qeveria jonë do të bënte veprime kundër shtetit të Kosovës kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës, natyrisht se veprimet opozitare janë të domosdoshme, duke përfshirë edhe gazin lotsjellës. Por unë nuk besoj asnjëherë që me qeverinë tonë, me kryeministrin Albin Kurti do të ketë marrëveshje të dëmshme për vendin, prandaj edhe besoj se s’do të ketë nevojë opozita për veprime të tilla”, tha Haxhiu.

Të ngjashme