Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se nëse koalicioni PAN arrin t’i sigurojë votat për formimin e qeverisë atëherë duhet vepruar prokuroria, pasi sipas saj dihet se ka pasur shantazh ose blerje të deputetëve.
Sipas saj, asnjë deputetë nuk do ta votonte këtë koalicion nga parimet apo bindja e lirë.
“Është e qartë që asnjëri nga deputetet nuk do ta votonin për parime apo me bindje të lirë qeverisjen e klanit Pronto. Nuk mund të ketë përkrahje të vullnetshme për njerëz që janë përgjegjësit kryesor për mjerimin, varfërinë, padrejtësitë e pabarazitë por edhe për krimin e korrupsionin”.
“Andaj nëse koalicioni PAN arrin t’i ketë mbi 61 deputetë, do të duhej menjëherë të vepronte prokuroria sepse dihet hapur se ka pasur blerje o shantazh të deputeteve”, ka shkruar ajo në facebook.
Haxhiu ka thënë nuk duhet lejuar që shitblerja e deputeteve të shndërrohet ne traditë.
“Raste te tilla kemi pasur edhe me herët dhe si te tilla janë injoruar nga prokuroria”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe zyrtarë të koalicionit PAN kanë deklaruar se kanë siguruar votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë.