Katër deputetët e VV-së të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës nuk do të shkojnë sot në seancën gjyqësore ku pritet të shpallet vendimi ndaj tyre.
Haxhiu thekson se nuk do të jenë në seancë për të dëgjuar një aktgjykim politik.
Lexoni të plotë postimin e Haxhiut në Facebook:
“Nesër në orën 13:00, shpallet aktgjykimi kundrejt ne deputetëve që me veprimet tona politike mbrojtëm territorin dhe Republikën. Mbi të gjitha ne vetëm sa e kemi mbrojtur zërin e popullit në Kuvend, zërin e atij populli që na dha mbështetjen.
Për dy vite radhazi sistemi i drejtësisë u vu në shërbim të klaneve, herë të Prontos e herë të Mustafës. Ndiqeshin jo kriminelët e të korruptuarit, por deputetët e aktivistët që me veprimet e tyre shpëtuan Kosovën nga projektet e dëmshme.
Asnjë prej pretendimeve që i ka ngritur prokurori, nuk janë të mbështetura me prova e fakte! Gazi lotsjellës nuk është armë. Në fakt ishte mjeti i vetëm e i domosdoshëm për ta shpëtuar Kosovën nga copëtimi dhe bosnjëzimi.
Ne, deputetët e akuzuar, nesër nuk do të jemi në seancë për të dëgjuar një aktgjykim politik!
Sigurisht që nesër do duhej të nxirrej aktgjykim lirues dhe jo fajësues por duke e parë kapjen e këtij sistemi të drejtësisë, kjo duket e pamundur.
Por pavarësisht kësaj edhe gjyqtari Kalludra por edhe të tjerët që e kanë bishtin e zënë me derë, e kanë të qartë se pavarësisht dënimeve që mund të marrim, do të veprojmë në mbrojtje të vendit gjithnjë”.