Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, ishte temë e raportimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Haxhiu, tha se marrëveshja me Danimarkën për lëshimin e qendrës korrektuese në Gjilan me 300 shtretër parasheh që të zgjasë 10 vjet.
Kostoja sipas saj, do të jetë 15 milionë euro, ndërsa 5 milionë euro mund të bëhen në Qendrën Korrektuese.
“Mirëpo aso kohe qeveria jonë ishte rrëzuar, ne nuk kemi arritur ta mbajmë asnjë takim. Për marrjen e një qendre korrektuese me qira, dhe unë jam njoftuar se të gjitha dokumentet janë përfunduar. Kam kërkuar që të njoftohet delegacioni danez në mënyrë që të nisin palët për këtë marrëveshje”.
“Pas përfundimit të bisedimeve kemi nënshkruar një letër qëndrimi, që të kemi të bëjmë me fuqizimin e kësaj qendre dhe për sistemin e ligjit dhe në energji të ripërtrishme. Dhe në këtë aspekt, e kemi parë të nevojshme që ta ndihmojmë Danimarkën, t’ua ofrojmë qendrën e paraburgimit në Gjilan me 300 shtretër, aq sa ka qenë kërkesë e palës daneze”, tha ajo.
Tutje, ministrja Haxhiu ka thënë se kushti i vendosur nga Kosova është se të burgosurit nuk duhet të jenë të dënuar për terrorizëm e as me probleme mendore.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka pyetur ministren Haxhiu, se përse Kosova e ka shprehur gatishmërinë që të strehojë kriminel.
“Nga është ky zell që Kosova e para të strehojë kriminel. Nëse do të aplikohen ligje daneze, a po? A ka informata se nga janë këta kriminelë, çfarë natyre kriminale kanë bërë, si do të vizitohen nga familjarët, dhe nëse e kryejnë burgimin ku do të shkojnë ata. 200 të burgosur janë në burgun e Gjilanit, ku do të dërgohen ata dhe a po ua cenojmë të drejtën e tyre”, u shpreh Selmanaj.
Ministrja Haxhiu tha se kjo marrëveshje fillimisht ka qenë e trashëguar nga qeveritë e kaluara.
“Së pari e thash së është e trashëguar nga qeveria e kaluar. Por duke pasur parasysh qëndrimet me Danimarkën dhe duke pasur parasysh që kemi hapësire të mjaftueshëm, kemi vendosur që t’ua ofrojmë me qira këtë qendër”, tha ajo.
Teksa u përgjigj në pyetje e anëtarëve, Haxhiu tha se në këtë marrëveshje detaje tjera janë se të burgosurit nuk do të jenë të dënuar më shumë se 10 vjet. Ajo tha se për çdo rast të incidenteve, përgjegjësinë do ta marrë shteti danez.
“Unë konsideroj se në Kosovë ka të burgosur me vepra të ndryshme, prandaj Kosova nuk ka probleme me të burgosur sip ka në vende të ndryshme, mund të ndodhin incidente por janë të pakrahasueshme me vendet tjera. Do të vlejnë ligjet e Danimarkës, dhe në rast të ndonjë incidenti do ta marrë përgjegjësinë Danimarka, dhe në çdo moment jemi munduar që të kemi më pak përgjegjësi. Nuk do të jenë shtetas danez, dhe më vonë do ta shohim se cila do të jetë kombësia e tyre. Të dënuarit nuk do të jenë më shumë se 10 vjet të dënuar”, tha Haxhiu.
“Në momentin kur i burgosuri e kryen dënimin, ne do ta dërgojmë ne Danimarkë, e më pastaj kjo e fundit e dërgon na shtetin nga ka ardhur”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se në parim nuk janë kundër por që dhënia me qira të burgjeve, nuk mund të zhvillohet shteti.
“konsideroj se transferimi i 300 të burgosurve nuk e shoh si investim i madh dhe nëse themi se Danimarka po ndërton fabrikë me 300 punëtorë, atëherë do të ishim më ndryshe. Dua të di se shtetas të kujt janë këta, a po duam t’i bëjmë një argat Danimarkës apo çka. Nuk zhvillohet shteti duke lëshuar burgje me qira. Në parim nuk jemi kundër, por janë disa çështje që duhen trajtuar”, tha Beqa.
E për gjitha këto, ministrja Haxhiu ka thënë se të burgosurit do të jenë me rrezikshmëri të mesme. Ajo tha se për këtë Kosova do të fitojë 15 milionë euro në vit, raporton EO.
“Për neve është i rëndësishëm bashkëpunimi me Danimarkën, dhe një nga angazhimet tona është aspekti i qendrave korrektuese, ku janë bërë shumë padrejtësi dhe diskriminime. Përmes këtij fuqizimi, ne poashtu përfitojmë në sundimin e ligjit, pra do të jenë 15 milionë euro në vit. Nëse një i burgosur ka një vepër të rëndë dhe sensitive, ne mund ta refuzojmë që i burgosuri të vijë në burgun e Kosovës, ora të burgosurit janë me rrezikshmëri të mesme dhe jo të lartë”, tha ajo
“Sa është kostoja e këtyre të burgosurve dhe kush do ta ketë logjistikën. Nuk e shoh lëshimin me qira si mundësi për ta fuqizuar sistemin e drejtësisë”, tha Beqa.
Ndërsa ministrja Haxhiu tha se kostoja e lëshimit me qira të kësaj qendre korrektuese është 5 milionë euro. Ajo tha se drejtori dhe stafi do të jetë danez, ndërkaq Shërbimi Korrektues do të jenë kosovarë.
Ndërkaq Haxhiu tha se praktika të tilla për lëshimin me qira të burgjeve ka ndodhur edhe në shtetet tjera, siç e përmendi rastin kur Holanda ka lëshuar burgje me qira për Belgjikën.