Anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se më 14 shkurt do të konfirmohet fitorja e VV-së.
Haxhiu referuar aktgjykimit të plotë të Kushtetueses ka shkruar se hilet dhe pengesat vetëm sa e rrisin fitoren e tyre.
Sipas saj mbështetja e qytetarëve për VV-në është dyfishuar.
“Më 14 shkurt, fitorja e madhe e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Qeveria Kurti II janë të pashmangshme. Hilet e pengesat e mundshme vetëm sa na rrisin. Historia na ka dëshmuar kështu! Mbështetja e qytetarëve për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është dyfishuar, ndër të tjera, sepse iu vu kleçka Qeverisë Kurti I, dhe atë në momentet më kritike për qytetarët. Kujtimi është shumë i freskët. Qytetatët e kanë ndarë mendjen. Në Llap na e ka dëshmuar. Detyra jonë tash është që ta shpaguajmë këtë besim me punë, nder e besnikëri”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, dje Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
E po ky vendim, zyrtarizon edhe çështjen më të diskutuar, ku ndalohet kandidimi i të dënuarve. Kështu, edhe Albin Kurti nuk mund të garojë në zgjedhje në listën e deputetëve, për shkak se është i dënuar.