Haxhiu sërish kritikon KPK e KGjK: Edhe sa gra e vajza duhet të vriten që të këndellet sistemi i drejtësisë

Prishtinë | 02 Dhj 2022 | 12:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Drejtësisë në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” ka lansuar Kurrikulën për trajtimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Ministria e ka miratuar Kurrikulën në mënyrë që zhvillimi zbatimi dhe ofrimi i programeve të kryesit të dhunës në familje në Kosovë në të ardhmen të jenë në përputhje me këto dokumente.

Sipas saj, dhuna është dukuri shqetësuese ku viktima në shumicën dërrmuese të rasteve janë gratë. Ajo shtoi pyetje edhe sa gra e vajza duhet të vriten që të këndellet sistemi i drejtësisë.

Haxhiu sërish ka kritikuar përfaqësuesit e KPK-së dhe KGJK-së që nuk janë të pranishëm në këtë event.

Me lansimin e Kurrikulës sipas ministres Haxhiu, Ministria e Drejtësisë do të vendosë kornizat e zhvillimit, implementimit dhe ofrimit të programeve për kryerësit e dhunës në familje në Kosovë.

Ministrja Haxhiu tha se Kurrikula definon dhe përcakton këto elemente kryesore për ndërtimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje: principet, qasjet, strukturën, kohëzgjatjen, profilin e ofruesve të këtyre shërbimeve, dhe vlerësimin e programeve.

Gjatë këtij muaji, sipas ministres Haxhiu do të fillohet menjëherë me trajnimin e trajnerëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje, bazuar në Kurrikulë.

Ministrja Haxhiu vlerësoi lartë mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, konsulentëve të angazhuar, partnerëve strategjik, përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, OJQ-të, për hartimin e kësaj Kurrikule, duke vlerësuar se falë kontributit të tyre është krijuar një mekanizëm i mirë i cili ka munguar për të trajtuar dhe adresuar profesionalisht këtë çështje.

“…edhe sa gra e vajza duhet të vriten derisa kriminelët lëshohen në mënyrë të rregullt dhe dënohen me dënime minimale”.

Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se Kurrikula është njëra nga dokumentet thelbësore dhe themel i sigurt se Kosova po shkon një hap përpara për parandalimin e dhunës.

Sipas tij, institucionet duhet të punojnë për të forcuar sistemin dhe parandaluar dhunën që u bëhet grave.

Kurrikula synon të vendosë bazën për krijimin dhe zhvillimin e programeve të kryesve të dhunës në Kosovë në përputhje me standardet e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe standardet tjera ndërkombëtare.

Kjo Kurrikulë ka tri seksione kryesore: i pari përcakton se çka janë programet për kryesit e dhunës në familje, duke përfshirë parimet kryesore qasjet kryesore kontekstin dhe financimin, e dyta përshkruan se si programet e kryerësve të dhunës mund të zhvillohen në Kosovë, dhe e treta përcakton modulet dhe përmbajtjen e tyre për çdo fazë dhe seancë të programit për kryesit e dhunës.

Të ngjashme