Kryetarja e komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka njoftuar se Ligji për shëndet mendor dhe Ligji anti-Covid janë duke u monitoruar dhe kanë mbetur edhe dy vizita në terren, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i grupit për monitorimin e Ligjit të shëndetit mendor, Burim Karameta ka treguar se kanë zhvilluar një mori takimesh dhe se rezultatet përfundimtare nga monitorimi i këtij ligji do të plasohen në vjeshtë.
“Gjatë diskutimeve kemi vlerësuar se edhe dy ose tri takime të mbetura t’i spostojmë për sezonin e vjeshtës pasi personat kompetent të këtyre institucioneve janë në pushime dhe nuk mundemi me sjellë raport përfundimtar. Shumë shpejt do të bëjmë raportin përfundimtar dhe do të dalim me format të rekomandimeve tona”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryesuesi i grupit të monitorimit të Ligjit anti-Covid, Bekim Haxhiu ka thënë se janë munduar të marrin sa më shumë informacione dhe kanë parë vështirësitë për zbatimin e këtij ligji.
“Kemi pasur takime në institucione të ndryshme dhe kemi parë problemet për nga afër”, ka thënë ai.
Po ashtu Haxhiu ka njoftuar se kanë kërkuar nga IKShPK-ja që të dinë saktë për numrin e punëtorëve që janë infektuar me Covid-19 dhe raport ditor të testeve PCR.
Haxhiu ka thënë gjithashtu se ka pasur një ndërhyrje nga kryetarja e këtij komisioni gjatë punës së grupit punues, ku sipas tij ajo ka bërë kërkesë nga IKShKP-ja që mos t’u kthejnë përgjigje lidhur me pyetjet që kanë pasur ata sa i përket zbatimit të ligjit.
Ai ka thënë se tërhiqet nga pozita e kryetarit të grupit punues për monitorimin e Ligjit anti-Covid.
Ndërsa, Mulhaxha Kollçaku ka thënë se Haxhiu ka keqpërdor pozitën që i është dhënë dhe ka dërguar kërkesa në emër të grupit pa u konsultuar me anëtarët e grupit.
“Është proceduar letra pa e parë kryetarja dhe anëtarët e komisionit”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se i di kompetencat e tij dhe nuk ka bërë asnjë tejkalim.
Deputetja Labinotë Demi ka thënë se është ofenduese që Haxhiu ka shkruar këtë në emër të grupit pa qenë të informuar ata.
“Ju duhet me kërkua falje zotëri dhe me thënë unë tërhiqem. E keni pasë në maksimum përkrahjen prej meje”, ka thënë ajo.