Deputeti i PDK-së dhe njëherësh kryetar i Grupit Punues për Monitorim të Zbatimit Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, Bekim Haxhiu ka reaguar ndaj kryetares së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku.
Haxhiu kishte bërë një kërkesë në institucionet shëndetësore, për numrin e pacientëve të pranuar në baza ditore, për numrin e vdekjeve nga COVID-19 dhe disa të dhëna të tjera rreth trajtimit të këtyre pacientëve.
Ndërsa, sot Haxhiu ka publikuar një email, ku thotë se Kollçaku u ka kërkuar institucioneve shëndetësore të mos përgjigjen në email-at e deputetëve.
“Ndodhë edhe kjo nga pushteti i ri? Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi znj.Kollqaku kërkon që institucionet shëndetësore të mos përgjigjen në email-at e deputetëve, respektivisht kërkesa e deputetes Kollqakut është për mos përgjigje në email-in e Grupit Punues për Monitorim të Zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 Për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Në postimin e tij, ai i i bashkëngjiti edhe email-at të cilat i janë dërguar SHSKUK-së.