Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur dje se gjatë të mërkurës së javës që vjen do të mbahet “tryeza e përbashkët” e partive politike, ku ndër të tjera do të diskutohet edhe për zgjedhje të parakohshme.
Pas kësaj, pro tryezave për diskutim është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse ende nuk ka pranuar ftesën, deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu ka konsideruar se duhet shkuar në takimin e së mërkurës.
“Sigurisht që ne presim që zyrtarisht ta kemi ftesën e Grupit Parlamentar të LDK-së. Pastaj duhet ta trajtojmë në organet e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë mendoj që duhet shkuar në këtë takim dhe qëndrimi ynë do të jetë në raport me atë që vendi ka nevojë të shkojë në zgjedhje sa më parë”, ka theksuar Haxhiu, gjatë një bisede për “Zërin”.
Megjithatë sipas Haxhiut, qasja e LDK-së sa i përket kërkesës për zgjedhje është hipokrite.
“Duhet kritikuar edhe qasjet hipokrite për faktin që në vazhdimësi grupi parlamentar i LDK-së po bën ftesë për zgjedhje të jashtëzakonshme, por në anën tjetër flasin edhe për qeveri teknike. Unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në këtë tryezë dhe do të kërkojë që të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shtuar ajo.
Haxhiu ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, me ç’rast ka vlerësuar se qytetarët janë mashtruar vazhdimisht nga udhëheqësit e shtetit.
“Janë bërë premtime që qytetarët do të lëvizin lirshëm, por ajo që ka ndodhur ka qenë një mashtrim nga presidenti aktual që atë kohë ishte kryeministër dhe nga zyrtarët e tjerë që kanë udhëhequr me vendin. Është fatkeqësi që ende qytetarët e Kosovës nuk lëvizin lirshëm, por kjo është për shkak të qeverive të papërgjegjshme”, është shprehur ajo.
Deputetja e LVV-së tutje, ka thënë se deri më tash nuk ka pasur aspak vullnet për ta luftuar krimin e organizuar e korrupsionin, i cili është kriteri i fundit për heqjen e vizave.
“Ne nuk kemi parë asnjë vullnet politik për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe besoj që liberalizimi i vizave me këtë qeveri e cila është e përfshirë në korrupsion nuk mund të bëhet. Në anën tjetër, ajo se si mund të reformohet sistemi i drejtësisë, është e qartë: në qeveri duhet të vijnë njerëz me duar të pastra, domethënë që e transformojnë sistemin e drejtësisë, por këtë nuk mund ta bëjë as LDK as PDK e as AAK. Për shkak se tashmë zyrtarë të tyre kanë aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka theksuar ajo.
Prandaj, sipas Haxhiut, e vetmja zgjidhje është që vendi të shkojë në zgjedhje dhe në krye të institucioneve të vijnë njerëzit e Vetëvendosjes.