Në prag të fillimit të vitit shkollor 2017/2018, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka takuar sot drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Gjilanit, duke rikonfirmuar se arsimi mbetet prioriteti i qeverisjes komunale.
Pasi ka vizituar shkollat e Gjilanit, Haziri është ndarë i kënaqur me përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit shkollor, njofton Komuna e Gjilanit.
“Edhe në këto momente që po flasim jemi duke i bërë disa renovime nëpër shkolla dhe besoj shumë që më 4 shtator gjithçka është gati për fillimin e vitit shkollor. Po e rikonfirmoj se arsimi mbetet prioriteti i parë i qeverisjes komunale, jo vetëm sa i përket mirëmbajtjes së shkollave, por edhe investimeve kapitale që do t’i vazhdojmë t’i bëjmë”, ka thënë Haziri.
“Unë ju falënderoj të gjithë për punën e madhe që keni bërë, për të pasur rend, rregull dhe disiplinë në shkollat tona. Dëshiroj t’ju konfirmoj se në vitin e ardhshëm do të nis ndërtimi i shkollës në afërsi të Tregut të Gjelbër, sikurse ndërtimi i çerdhes në lagjen ‘Arbëria’. Ndërkaq, së shpejti do të nis punën çerdhja më moderne në ‘Dardani’. Ju uroj një vit të mbarë të gjithëve”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Drejtoresha e Arsimit, Shqipe Kastrati Haziri, ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen dhe përkushtimin që i ka dhënë sektorit të arsimit.