Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke folur rreth ndryshimeve mbi ligjin mbi tatimin në pronë, tha se qytetarët e Gjilanit janë të rregullt, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm ndaj pagesave të taksave komunale, por operatorët ekonomik janë borxhlinjtë më të mëdhenj dhe ata duhet të përgatiten edhe për masat shtrënguese pasi, siç tha, janë të detyruar t`i ndërmarrim si komunë.
“Nuk lejojmë presione e as kushtëzime sepse shtetin askush nuk mundet ta pengojë. Operatorët ekonomik janë borxhlinjtë më të mëdhenj e jo qytetarët. Nuk jam ithtar i masave shtrënguese, por ne duhet të ndërhyjmë dhe funksionojmë si shtet.Qytetarët mos të kenë frikë sepse ata janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Ata kanë treguar korrektësi dhe i kanë kryer të gjitha obligimet e parapara me ligj. Kemi të bëjmë me masa popullore shtoj kreu i komunës”, ka thënë Haziri në një debat të organizuar nga klubi i gazetarëve “Beqir Musliu”.
Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, tha se ndryshimet në tatimin në pronë e obligojnë qytetarin që të jetë më i kujdesshëm.
“Të jemi të qartë, ligjin e ka bërë Qeveria, e jo komuna dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë këtë dhe çdo ligj tjetër. Ndryshimet e bëra janë afatet e pagesës së tatimit në pronë, më herët ishte 31 qershori pjesa e parë dhe 31 dhjetori pjesa e dytë, kurse tani 30 prilli pjesa e parë dhe 30 shtatori pjesa e dytë. Ndryshimi tjetër janë kamatat dhe ndëshkimet. Ligji i vjetër ishte 1% kamata kurse tani është zvogëluar në 0.56% kamatë mujore. Ndryshimi tjetër është tatimi i përshkallëzuar që fillon së zbatuari në vitin 2019, tatimohen tokat e papunuara. Ankesat kanë qenë deri më 30 prill tani janë më 30 mars. Me ligjin e ri parashihet obligimi përmes përmbaruesve. Vërejtjet e fundit kanë dhënë efekt sepse është dyfishuar shuma e inkasuar. Nuk do ua mbyllim derën qytetarëve, përkundrazi do të arrijmë edhe marrëveshje dhe do të kemi bashkëpunim të dyanshëm”, ka sqaruar Maliqi.
Në debat kanë kontribuar edhe Demir Krasniqi Musli Matoshi, Shaban Terziu, Tefik Selimi, Besnik Mustafa dhe Ramiz Isufi.