Nënkryetari i dorëhequr i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur se mbajtja e kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie është shumë afër që të ndodhë.
“Çështje ditësh është edhe mbajtja e kuvendit. Kuvendi mund të mbahet shumë shpejtë”.
“Nuk ka datë, por angazhimet momentale janë që teknikisht dhe formalisht të përgatitet kuvendi që të ftohen delegatët dhe të formohen tre trupa të kuvendit: komisioni verifikues, komisioni kandidues dhe komisioni zgjedhor të themelohen në kuvend dhe ta marrin detyrën e zgjedhjes së kryetarit të ri. Kjo ndodh brenda një dite”, është shprehur Haziri, njofton Klan Kosova.
“Zgjedhja e kryetarit të ri do ta ndërrojë Këshillin e Përgjithshëm, edhe fillon një lloj reforme strukture dhe kadrovike nga lart poshtë”.
Haziri në Rubikon ka thënë se Isa Mustafa e ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e Kryetarit të LDK-së.
Rezultatin zgjedhor të 14 shkurtit të arritur nga LDK me rreth 13 përqind, Haziri e ka quajtur si të tmerrshëm.
“Do të doja ta gjeja përgjigjen dhe do të jepja shumë [për humbjen e thellë]. Është rezultat i tmerrshëm politik. LDK e ka pranuar rezultatin. Kryetari i LDK-së ka ofruar dorëheqjen të hënën, ditën e parë pas zgjedhjeve. E ka marrë përgjegjësinë. Tash krejt konsultat bisedat, takimet në struktura tregojnë që ka nevojë urgjente që vlerësimet e brendshme të thellohen dhe të gjenden shkaktarët e rezultatit, të eliminohen dobësitë dhe të reformohet struktura në program sepse në vizion nuk ka çfarë”.