Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se janë duke vazhduar përpjekjet për arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, për të qeverisur vendin për katër vjetët e ardhshme, raporton Ekonomia Online.
Haziri, shtoi se gjasat janë të mëdha që të hënën ta ketë Qeveri të re.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta udhëheqë Qeverinë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë Kuvendin.
“Kryetari i LDK-së ka zhvilluar takime, konsultime ditore. Ne sot do të vazhdojmë përpjekjet në takime intensive edhe brenda strukturave edhe me partnerin e ardhshëm politik”.
“Edhe më tutje po angazhohemi që kjo marrëveshje të jetë e balancuar edhe e akomodon dy subjektet e mëdha politike që me hap rrugën, mandej mandatari me krijuar koalicionin edhe më partitë e pakicave pa Listën Serbe”.
Sa i përket takimit të dy liderëve të partive për sot ose edhe nesër, Haziri tha se nuk ka ende asgjë zyrtare.
“Finalizimi i kësaj marrëveshje bie mbi përgjegjësinë e dy subjekteve politike dy liderëve dhe ky angazhim është në funksion të saj. Edhe më tutje kemi nevojë me diskutuar edhe më tutje. Punojmë që negociatat me faktuara përfaqësim të barabartë që t’i japim vendit stabilitet politik”.
“Komunikimi takimet s’janë ndalë asnjëherë. Takimet te paralajmëruara s’ka momentin që do konfirmohet sot ose nesër ju njoftojmë. Përballimi i kësaj situate është bërë përmes takimeve, përpjekjet s’do ndalen deri të hënë besoj të keni edhe pak durim”.
Ai tha se për kryeparlamentarin s’kanë kërkuar me heq dorë. “Nuk kem kërkuar me heq dorë as ata nuk kanë kërkuar me heq dorë nga kërkesat tona dhe objektivat tona. Angazhimi ynë është me qenë të balancuar kjo është qëndrim politik pjesë e negociatave”.
“Gjasat janë që Kosova me pas ekzekutiv dhe përpjekjet s’kanë me munguar po flas për një ekzekutiv VV-LDK dhe përfaqësim ku VV-ja udhëheq Qeverinë, LDK-ja Kuvendin”.