Të shtunën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është kthyer në Kosovë pas një qëndrimi disajavor në Gjermani për shkaqe shëndetësore.
Pas kthimi të tij, Mustafa i ka mbledhur nënkryetarët e partisë ku edhe u ka thënë se ka nevojë t’i përkushtohet rehabilitimit fizioterapik edhe për një kohë në Kosovë.
Në anën tjetër LDK-ja së fundi është duke kërkuar edhe mocion për rrëzimin e qeverisë dhe dërgimin e vendit sa më parë në zgjedhje nacionale.
Lidhur me gjithë këtë, Indeksonline ka kontaktuar nënkryetarin e LDK-së, njëherësh të parin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili është shprehur se LDK-ja është e gatshme kurdoherë për zgjedhje në vend.
“Jemi të gatshëm në çdo kohë që edhe nëse ndodhë në proces të jashtëzakonshëm që të jemi pjesë e procesit. Në asnjë mënyrë ne nuk shohim ndonjë zbrazëtirë apo problem organizativ në këtë drejtim”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se Isa Mustafa është i gatshëm të marrë vendime dhe se kthimi i tij në Prishtinë është shumë domethënës.
“Në baza ditore, kryetarët dhe kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të vazhdojë të funksionojë por kthimi i Isa Mustafës në Prishtinë e lehtëson këtë menaxhim ditor të punës meqë për vendimmarrje ai do të jetë aktiv dhe do të jetë në Prishtinë”, ka thënë Haziri.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm, i pari i komunës së Pejës nga radhët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se ai duhet të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër kurdo që mbahen zgjedhjet.
“Besoj që unë duhet të jem kandidat për kryeministër. Kam qeverisur mirë dhe kam fituar pa balotazh. Nuk shoh ndonjë kandidaturë tjetër”, tha Muhaxheri në RTV Dukagjin.
E pas kësaj deklarate, Haziri ka thënë se LDK ka një kryetar i cili merr vendim dhe se të tjerët i kanë detyrat e veta por që nuk ka përjashtuar faktin se për të Muhaxheri është një njeri i mirë dhe kryetar i mirë i Pejës por duke mos shtuar diçka më tepër.
“Ne kemi kryetar të LDK-së dhe natyrisht kryetari i LDK-së është Isa Mustafa, dhe të tjerët i kanë detyrat e tjera. Gazmend Muhaxheri është shumë i mirë, definitivisht. Edhe kryetar i Pejës edhe njeri i mirë”, ka përfunduar Haziri.
Pas largimit të Mustafës nga Kosova për disa javë, në vend ishin përmendur shumë emra të cilët mund të zëvendësojnë atë një ditë në krye të LDK-së. Lutfi Haziri, Agim Veliu dhe disa të tjerë.