Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve për nderë të 15 qershorit Ditës së Çlirimit të Gjilanit.
Në fjalën e tij para gazetarëve, Haziri ka uruar të gjithë qytetarët e Komunës për këto ditë të bardha siç i ka quajtur ai, të lirisë së qytetit të Gjilanit.
“Uroj të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit për këto ditë të bardha të lirisë së qytetit tonë. Aktivitetet e festës i kemi nisur nga dje dhe do të vazhdojnë deri me 15 qershor kur edhe shënohet 19 vjetori i çlirimit të Gjilanit. Respekt për familjet e dëshmorëve, heronjve dhe gjithë atyre që kanë sakrifikuar, qindra e mijëra burra e gra, të cilët kanë rezistuar për këtë ditë të bardhë që Gjilani dhe Kosova i gëzon si ditë të lirisë, duke u rreshtuar në mesin e popujve liridashës dhe në qytetet e paqes çfarë ne jemi tashmë si gjilanas”, ka thënë Haziri.
Ndryshe aktivitetet e sotme vazhdojnë me Seancën Solemne të Kuvendit të Komunës dhe ndarjen e çelësit të Qytetit për personalitetet e shpallura “Qytetarë Nderi” në ora 11:00, pastaj hapja e konsullatës së nderit të Republikës së Shqipërisë, në ora 12:00, shpallja e më të dalluarve në të gjitha fushat në orën 15:00 për të përfunduar ditën e sotme me ekspozitë në foajenë e Teatrit në ora 18:00.