Haziri: LDK e Lëvizja e Kuqe me 61 deputetë, opsion për qeverinë e re

Prishtinë | 20 Qer 2017 | 16:28 | Nga

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se LDK dhe “Lëvizja e Kuqe” siç e quan Lëvizjen Vetëvendosje, kanë 61 deputetë dhe se ky mbetet opsion për formimin e Qeverisë së re.

I pyetur nga lajmi.net se a mund të priten ndryshime në strukturat udhëheqëse të LDK-së, Haziri ka thënë se kjo parti e ka pasur një listë prej 110 kandidatëve, një bartës të listës i cili ka pasur konsensus prej lidershipit të LDK-së, ndërsa sipas tij në të ardhmen do të do të bëhen analiza në çdo strukturë për çështjen e votave.

Haziri ka thënë se në këto zgjedhje nuk ka humbës dhe as fitues të mëdhenj.

“Fillimisht, duhet theksuar se LDK e ka pasur një listë prej 110 kandidatëve, një bartës së listës i cili ka pasur konsensus prej lidershipit të LDK-së dhe natyrisht duke e vlerësuar që është votë politike, ne e kemi marrë vlerësimin e qytetarëve. Ne duhet t’i shohim raportet dhe rrethanat tjera se si dhe pse nuk kemi arritur ta kapitalizojmë rezultatin në nivel nacional me partnerët e koalicionit sepse po shihet që nëse janë 25 deputetë të LDK-së pesë të tjerët i kanë marrë votat e LDK-së dhe nuk ka votë të jashtme. Ne kemi shumë pak vota që kanë ardhur në LDK. LDK-së i mbetet të punojë shumë për ta kthyer besimin e qytetarëve. Ne do të bëjmë analizë në çdo strukturë tonën, në çdo degë dhe për çdo kandidat dhe do të vlerësohet vota politike dhe vota preferenciale. Nuk ka në këto zgjedhje as fitues të mëdhenj e as humbës të mëdhenj”, ka deklaruar Haziri.

Kurse, sa i përket asaj se a është më e favorshme për LDK-në mbetja në opozita sesa hyrja në ndonjë koalicion qeverisës, Haziri ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje kanë 61 deputetë dhe se ky mbetet opsion për formimin e qeverisë së re.

“Ajo që mund dua ta them është se LDK dhe Lëvizja e Kuqe është shumicë shqiptare në Kosovë që së bashku kanë 61 deputetë. Kjo është ajo që mund të ndodhë si opsion, ku PDK me grupin e tyre mbesin në opozitë dhe ndoshta nuk do të vuajnë shumë për mungesë të minoriteteve që nuk mund t’i kenë partnerë!”, është shprehur Haziri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme