Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka mohuar se partia e tij ka për synim të bëhet pjesë e Qeverisë Haradinaj, pas largimit të Listës Serbe, megjithëse ai sqaron se interesi i LDK-së karshi këtyre rrethanave politike është që të ruajnë vendin.
Haziri, ka përmendur tri çështje parimore, mbi ë cilat thekson se është bazuar qëndrimi i LDK-së se në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.
“Komunikata jonë është e bazuar në tri çështje parimore, e para ne nuk do të lejojmë që as Lista Serbe, por as askush tjetër që të nëpërkëmbë shtetin e Kosovës për interesa të caktuar politike dhe agjenda e aq më pak në këtë rast ku Lista Serbe e cila dje me prezencë fizike në Mitrovicë dëshmuan qëndrimin kundër interesave të Kosovës”
“Arsyeja e dytë është komfor këtij zhvillimi, qeverisja gjithmonë për ne ka qenë e pakicës, e cila ka ndërtuar shumicë artificialisht me grupet etnike, natyrisht që këto grupe janë kushtetuese dhe kanë pjesëmarrje në qeveri por fragjiliteti i kësaj qeverisje po shihet tash”.
“E treta ne në ditët në vijim do të qartësojmë angazhimet tona konkrete që kanë të bëjnë me stabilitetin institucional, por qëndrimi ynë si partia më e madhe politike në Kosovë, ne sillemi karshi kësaj situate me racionalitet dhe me pjekuri politike, pra duke dashur që të ruajmë vendin”, është shprehur Haziri për “Gazeta Blic”
Më tej, nënkryetari i LDK-së tha se në asnjë mënyrë nuk do ë pranojnë që të bëhen “patericë e qeverisë” siç u shpreh ai, duke shtuar se “po flasim për një situatë të ndishme politike dhe duhet të sillemi me pjekuri të madhe politike dhe karshi kësaj ne jemi gardianë të mos lejimit që të rrënohet gjithçka në Kosovë.”
Lista Serbe ka marrë vendim që të dalë nga Qeveria e Kosovës pas takimit që përfaqësuesit e këtij subjekti politik zhvilluan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Vendimi i Listës pasoi zhvillimet në Mitrovicë pas arrestimit të shefit e të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga Policia e Kosovës.
Lista Serbe, ka një grup parlamentar prej 10 deputetëve, prej të cilëve, nëntë janë serbë dhe një nga komuniteti goran.
Po ashtu, kjo Listë ka pasur poste ministrore dhe zëvendës ministrore në Qeverinë e Kosovës si dhe udhëheq me shumicën e komunave ku serbët përbëjnë shumicën.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media pas një mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar se veprimet e djeshme të autoriteteve të rendit nuk kanë qenë kundër askujt, në përjashtim të atyre që kanë prishur rendin dhe kanë shkelur ligjet.
Haradinaj deklaroi po ashtu se largimi i Listës Serbe, nuk e ka bërë askënd as më të lumtur, as më të hidhëruar. Ai ka thënë se pas këtyre zhvillimeve nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje.
“Pra, as nuk ka rend të zgjedhjeve as nuk ka rënie të Qeveri, po kjo nuk na bën as më të lumtur as më të zhgënjyer. Unë shpresoj se Lista Serbe të reflektojë sepse veprimet e njëanshme, shkëputja e bashkëpunimit nuk janë zgjidhje.
Zgjidhja e vetme është bashkëpunimi, dialogu këto e bëjnë progresin në Kosovë si në jug si në veri. Kam qenë dhe mbetem i përkushtuar për integrimin e gjithë qytetarëve dhe vendit dhe mendoj se kjo është më rendësi”, është shprehur Haradinaj.