Gjatë ditës së sotme janë publikuar disa lista me emrat e kandidatëve për deputet të Kosovës nga radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa.
Mirëpo, këto lista nuk janë zyrtare. Kështu po thotë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ai në një prononcim për mediat ka thënë se vetëm KQZ mund t’i bëjë publike listat zyrtare të kandidatëve. Haziri ka thënë se te pas korrigjimit të listave nga KQZ-ja ato do të bëhen publike.
“KQZ-ja është autoriteti i vetëm kushtetues që pas afatit korrigjues publikon listat me kandidatët”, ka potencuar Haziri për “Zërin”.
Kurse analisti politik Dimal Basha ka vlerësuar se mospublikimi i listave nga disa parti është bërë për t’i zvogëluar pakënaqësitë brenda partive.
“Mospublikimi i listave bëhet për t’i minimizuar pakënaqësitë brenda subjekteve politike dhe efektit që mund ta ketë kjo pakënaqësi jashtë këtyre subjekteve.
Me fjalë të tjera, presin t’i publikojnë listat në momentin e fundit, në kohën kur zhurma e kampanjës politike rritet në atë nivel saqë nuk do të dëgjohen ankesat apo pakënaqësitë e atyre kandidatëve që nuk përfshihen në listat e tyre”, ka deklaruar Basha.