Haziri nis simbolikisht nxjerrjen e mjaltit

Prishtinë | 14 Kor 2016 | 14:47 | Nga

Metush Maksuti nga Cernica është njëri ndër 250 gjilanasit që merren me kultivimin e mjaltit. Metushi i ka 200 shoqëri bletësh dhe nga kjo veprimtari e trashëguar, familja e tij bënë jetë shumë të mirë.

Në bletarinë e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, e kanë shpallur të hapur nxjerrjen e mjaltit.

Haziri tha se familja e Metush Maksutit është sinonim i 250 familjeve tjera që merren me prodhimin e mjaltit.

“Puna dhe angazhimi i Metushit dëshmon se secili prej neve ka mundësi të jetë i angazhuar dhe përfitues. Komuna e Gjilanit do të vazhdojë t’i mbështesë bletarët dhe sektorin e bujqësisë në përgjithësi, sepse është baza e zhvillimit për çdo familje në Gjilan”, ka thënë Haziri.

Haziri ka ftuar qytetarët e Gjilanit që të konsumojnë mjaltin që po e prodhojnë bletarët e kësaj ane.

“I ftoj qytetarët e Gjilanit që të konsumojnë mjaltin tonë, prodhimin e njerëzve tanë, të cilët punojnë një vit për ta prodhuar dhe sigurisht që mjalti nuk është vetëm ushqim, por edhe ilaç. Unë ju them të gjithëve që ta marrin shembullin e mirë të Metushit se si punohet dhe si jetohet mirë edhe në Cernicë dhe kudo në Kosovë”, thotë Haziri.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, tha se Komuna e Gjilanit me të gjitha kapacitetet i ka mbështetur bletarët për funksionim sa më të suksesshëm të veprimtarive të tyre.

“Komuna e Gjilanit gjithmonë ka ofruar kushte jashtëzakonisht të mira për bletarët. Si Drejtori, kemi bërë përpjekje maksimale që t’i mbështesim bletarët. Sivjet i kemi mbështetur me centrifuga elektrike, e më herët edhe me shtëpiza dhe me pajisje tjera. Nevojat e tyre janë më të mëdha, sepse në Gjilan janë afro 250 bletarë që merren me këtë veprimtari”, tha Ramadani.

Bletari Metush Maksuti, të cilin kryetari e cilësoi si sinonim i punës së suksesshme, pati disa fjalë falënderimi për mbështetjen që i ka dhënë atij.

“E falënderoj shumë kryetarin Haziri dhe drejtorin Ramadani që na kanë mbështetur vazhdimisht me centrifuga dhe pajisje tjera, kështu që ne sot kemi arritur që të kultivojmë shoqëri moderne dhe të kemi mjaltë kualitative. I ftoj qytetarët që të merren me këtë lëmi sa më shumë sepse është shumë fitimprurëse”, ka thënë bletari Metush Maksuti.

2.jpg

1.jpg

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme