Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka komentuar vendimin e Qeverisë në detyrë, që taksa 100 për qind për Serbinë të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.
Haziri ka thënë se vendimi i taksës 100 për qind ka qenë veprim politik me pasoja.
“Sa e di unë edhe herën e parë kur është bërë largimi i taksës për lëndën e parë, ministrat e LDK-së nuk kanë qenë aty. Edhe kësaj here sido që është votu, në parim është bërë veprim politik por me pasoja, pasoja e parë po e merr Qeverinë e dytë me veti, pasi që edhe dorëheqja e Haradinajt ka qenë për shkak të presionit të tarifës dhe mos arritjes me u koordinu me partnerë, por edhe Qeveria Kurti shkoi si pasojë e mos koordinimit me partnerë strategjik lidhur me tarifën”, ka pohuar Haziri transmeton RTV Dukagjini.
Haziri ka shtuar më tej se largimi i taksës është bërë pa koordinim me Qeverinë amerikane.
“Largimi i sotshëm është pa kurrfarë koordinimi pa kurrfarë angazhimi, sidomos me Qeverinë amerikane, është me pasoja prapë, nuk shoh diçka që i jep oksigjen politik kësaj situate të rënduar politike”, tha ai.
Në fund, Haziri theksoi se në të ardhmen reciprociteti më shumë do të përdoret si slogan se sa si masë.