Haziri pret në takim të burgosurit politikë të Anamoravës

Gjilan | 24 Kor 2017 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në një takim pune ka pritur kryetarin e Komunës së Kamenicës, dhe kryetarët e shoqatave të të Burgosurve Politikë nga Komunat e Anamoravës, të cilët kanë biseduar konkretisht për gjendjen e burgut hetues, apo burgut famëkeq të Gjilanit, i cili është mbyllur më 15 qershor të këtij viti dhe është i hapur për vizitorët.

“Falënderoj shoqatën e të burgosurve, këta të cilët sot janë gjallë, sepse mbi sakrificën e tyre, mbi luftën dhe idealet e tyre, ne jemi frymëzuar dhe sot po e shijojmë lirinë. Këta për ne janë heronjtë e gjallë të Kosovës, përkundër që respektin dhe gjunjëzimin e bëjmë për heronjtë dhe dëshmorët e atdheut”, ka thënë Haziri.

Edhe sa i përket burgut famëkeq i cili sot gjendet në qendrën e qytetit të Gjilanit ai ka prezantuar dy çështje të cilat janë debatuar bashkërisht.

“Ne sot kemi biseduar për mundësinë e përcaktimit të destinimit final, apo shfrytëzimin e objektit të burgut të Gjilanit dhe mundësinë e restaurimit të një pjese drejtë konzervimit të një pjese për t’u shfrytëzuar për memorje historike dhe për shfrytëzim nga gjeneratat dhe njerëzit që vijnë në të ardhmen”.

“Aty do të kthehet dhe ndritet historia. Ky ishte burgu që përveç trajtimit të rëndë dhe torturave të vazhdueshme, aty kishte edhe shumë njerëz të cilët nuk kanë dalë të gjallë. Gjaku i tyre sot bënë dritë, por duhet të ruhet ajo dritë që del nga ai objekt që ishte famëkeq në të kaluarën, por në të ardhmen do të kthehet në një objekt që shërben për histori dhe për të ardhmen”, ka thënë mes tjerash Haziri.

Shefik Sadiku kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik, ka falënderuar kreun e Gjilanit për angazhimin dhe punën që ka bërë për hapjen e burgut më famëkeq për vizitorët.

Të ngjashme