Haziri: Qeveria Kurti po shikon nga mbrapa e po tenton të gjejë “fajtorë”, nuk ka shënuar asnjë progres

Prishtinë | 22 Pri 2022 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh edhe ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri thotë se ende nuk kanë qeverisje në Gjilan, pasi sipas tij kanë kaluar 100 ditë nga marrja e mandatit nga Alban Hyseni dhe se kanë evidentuar lëshimet e para, siç thotë ai “shkeljet e para” që kanë ndodhur deri më tani në Gjilan, ku deri më tani nuk ka proces të hapur, i cili siguron zhvillim dhe mirëqenie në Gjilan.

Haziri vlerëson se LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme “është duke u kthyer”, teksa shton se qytetarët e Kosovës nuk kanë opsion tjetër përveç LDK-së.

Sa i përket Qeverisë Kurti 2, Haziri thotë se ende nuk mund të flitet për suksese të kësaj Qeverie, pas sipas tij e njëjta po vazhdon të shikohet mbrapa, ku tenton të gjejë “fajtorët” në të kaluarën, ku përmend se asnjë progres nuk ka ndodhur gjatë kësaj kohe, teksa sipas tij nuk mund të dallohet as kjo Qeveri nga ato tjerat, por që sipas tij LVV nuk mund të krahasohet me qeverisjen e LDK-së.

“S’mund të flasim ende për sukseset e qeverisë Kurti 2 sepse edhe më tutje po vazhdon të shikohet mbrapa, gjetja e ‘fajtorëve’ në të kaluarën, hedhja e fajit në të kaluarën dhe të adresohen cështje problematike si pasojë e të kaluarës. Asnjë progres nuk ka ndodhur që mund ta dallonte këtë qeveri nga qeveritë tjera, e as që mund të krahasohet me qeverisjen e LDK-së. Ne edhe më tutje mbesim adreresim, pritje dhe kërkesë për një qeverisje më të mirë e më të qëndrueshme sepse LDK ka ditur që ta bëjë dallimin edhe në raport me PDK-në e edhe në raport me VV-në, definitivisht”, shprehet nënkryetari i LDK-së.

Lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional i Kosovës, Haziri vlerëson se Trusti i Kosovës është në treg ndërkombëtar financiar, ku ai duhet të shihet nga nevoja qytetare, sikurse që ka ndodhur në rastin e pandemisë, teksa shton se duhet vepruar kujdesshëm që të mos rrezikohet mirëqenia e njerëzve që siç thotë ai “presin nga të hyrat e tyre të kenë pleqëri të rehatshme”.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti tashmë është çështje e cila ka marrë një iniciativë prej deputetëve apo grupeve politike. Sidoqoftë, Trusti i Kosovës është në treg ndërkombëtar financiar, ai duhet të shihet edhe nga nevoja qytetare sikur që ndodhi në rastin e pandemisë. Në këtë kohë, mendoj që duhet të veprojmë kujdeshëm dhe të mos rrezikojmë asnjëherë që fondi pensional të rrezikojë mirëqenien e njerëzve që presin nga të tyrat e tyre të kenë pleqëri të rehatshme”, vlerëson Haziri, në përgjigjen për Gazetën Online Reporteri.net.

Ndërkaq, për Komunën e Gjilanit, në të cilën aktualisht është duke qeverisur Alban Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ish-kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri thotë se ende nuk ka qeverisje në Gjilan, ku përmendi disa nga shkeljet e para sipas tij që kanë ndodhur në këtë Komunë, teksa thotë se qytetarët çdo ditë e më shumë janë duke e parë se kjo qeveri lokale nuk është duke i realizuar premtimet e tyre.

“Nuk kemi qeverisje ende në Gjilan. Kanë kaluar 100 ditë dhe ne i kemi evidentuar lëshimet e para, shkeljet e parë që kanë ndodhur dhe deri më tani nuk kemi proces të hapur i cili siguron zhvillim dhe mirëqenie në Gjilan, së paku në rrafshin e premtimeve. Nëse e shohim në rrafshin e premtimeve që janë dhënë, po shihet që kapacitetet për realizim mungojnë. Është emëruar një administratë e koalicionit e cila po ashtu edhe për shkak të bacground’it dhe pritejeve, është befasi për t’keqe në Gjilan. Qytetarët çdo ditë e më shumë po e shohin se kjo qeveri lokale është ajshtë realizimit të premtimeve të tyre, e të mos flasim për premtimet e tyre”, thotë ish kryetari i Komunës së Gjilanit.

Veç kësaj, lidhur me mundësinë e zgjedhjeve në Kosovë, Haziri shprehet i bindur se qytetarët e Kosovëas nuk kanë opsion tjetër përveç LDK-së dhe se LDK-ja është duke u rikthyer.

“Qytetarët nuk kanë opsion tjetër pos LDK-së. LDK po vjen. LDK po rikthehet. Nëse e lexojmë drejtë rezultatin e zgjedhjeve lokale, ne presim që zgjedhjet e ardhshme parlamentare kurdo që mbahen që të jemi partia e parë dhe rikthimi i madh i LDK-së do të ndodhë pas shumë kohësh”, deklaron Lutfi Haziri.

Ndër të tjera, Lutfi Haziri thotë për ministrin e punëve të brendshme, Xhelal Sveçla se ka vendosur Policinë e Kosovë “në target”, ku sipas tij në këtë target bëjnë pjesë numri i madh i të arrestuarve kundër ryshfetit dhe korrupsionit publik.

“Ministri Svecla e ka vendosur policinë e Kosovës në target. Tashmë, grupi më i madh i të arrestuarve kundër ryshfetit dhe korrupsionit publik janë vendosur në target”, përfundon ai për Gazetën Online Reporteri.net.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit të kaluar, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, kishte fituar në Komunën e Gjilanit me 51.03%, ose 21 mijë e 374 vota.

Ndërsa kundër kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, kishte marrur 48.97% të votave, ose 20 mijë e 515.

Të ngjashme