Qeveria e ardhshme që pritet të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po konsiderohet si qeveri që do të përmbyllë marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por si duket kjo temë nuk do të jetë ndër prioritetet e qeverisë Kurti.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një prononcim për EkonomiaOnline thotë se nuk pret dinamizëm të menjëhershëm të dialogut me Serbinë.
Thotë se prioritet është konsolidimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
“Unë vazhdoj me besua tash e dy vitet e fundit që kemi një gjysmë finale politike dhe jo finale të madhe, është një gjysmë finale duke u përgatitë, ku një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të dal në tavolinë, por a e detyron Serbinë me bë njohje reciproke edhe më tutje lëvizje të madhe sidomos në Evropë, por falë partneritetit me ShBA-në dhe emërimit të emisarit të veçantë të shtëpisë së bardhë, tregon qartë një seriozitet të politikës amerikane karshi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por nuk pres që zhvillimet të shkojnë në dinamikë shumë të madhe sepse prioritet do jetë ndërtimi i një qeverie, institucionet dalura pas zgjedhjeve do të marrin legjitimitet dhe ai legjitimitet kërkon veprime të kujdesshme karshi zgjedhjes së problemeve të mëdha”, thotë ai.
Haziri ka komentuar deklaratën e para disa ditësh kur foli për ç’kapjen e shtetit.
Thotë se në këtë temë janë dakorduar plotësisht me VV-në, teksa shton se qeveria e ardhshme do të punojë vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që kapja e shtetit me qenë pjesë e kulturës politike dhe këtu kam nënkuptua që ne jemi në linja të njëjta me Vetëvendosjen sa i përket shpalljes së konkurseve dhe avancimeve pas zgjedhjeve. Në pozita, në lëvizjet në staf diplomatik dhe procese tjera që dëshiron burokracia jonë me ndikim të politikës me i ruajt dhe akomodua interesat e saj politike. Duhet të veprojmë kujdesshëm dhe mos të lejojmë në asnjë mënyrë që kjo të na ndodhë dhe e kundërta e kësaj është që duhet ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjin për çdo vendim që vie si pasojë e ndërtimit të qeverisë së re”, tha ai.
Nënkryetari i LDK-së thotë se qeverinë e ardhshme e presin tema të mëdha, por që do të bashkëpunojnë ngushtë me miqtë ndërkombëtarë për t’iu dhënë përgjigje të gjitha temave, raporton EO.
“Temat e mëdha, janë programi qeverisës, ekonomia, edukimi, problemet e mëdha me fqinjët verior siç është dialogu drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, tejkalimi i tensioneve me NATO-n, BE-në dhe partnerët e mëdhenj sepse ata e kanë bërë të qartë se me popullin e Kosovës kanë partneritet të vazhdueshëm. Por politikanët këtu nuk e kanë sigurinë dhe nuk mund ta kenë atë lidhje që e ka populli i Kosovës, kështu që ka ardhur koha që këtë ndryshim me përgjegjësi karshi këtyre situatave duhet me u sjellë dhe vërtet me lejua që në funksion të jetë vetëm Kushtetuta dhe jo roli i individit”.
Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë formuar grupet punuese për të harmonizuar dhe përafruar programet për një bashkëqeverisje të mundshme.
Takimet ndërmjet këtyre dy partive tashmë janë shpeshtuar.