Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot një grup prej 20 studentëve të Universitetit të Zug-ut të Zvicrës, të cilët i ka informuar për historikun e Gjilanit, traditat, bashkëjetesen mes komuniteteve, sistemin politik, dhe për sfidat e prioritetet që ka Gjilani dhe Kosova në përgjithësi.
Kryetari Haziri ka thënë me këtë rast diversitetit etnik dhe fetar që mbizotëron në Gjilan, vlerësohet si vlerë.
“Është i rëndësishëm fakti se 32 për qind e gjilanasve jetojnë në Europë dhe shumica në Zvicër. Pjesa më e madh e tyre janë larguar në vitet 90’ta si pasojë e diskriminimit të ish-sistemit. Pra, një Gjilan i dytë jeton në shtetet e Europës. Gjilani është qendër universitare, kulturore dhe qendër e sportit. Jemi komunë multietnike e multireligjioze dhe për neve diversiteti në këtë aspekt është vlerë”, ka thënë Haziri.
Ndërkohë, studentët e pranishëm kanë shtruar pyetje lidhur me liberalizimin e vizave, sistemin elektorat, zhvillimin ekonomik etj., duke marrë kështu përgjigje të drejtpërdrejta nga kreu i Gjilanit.
Kjo vizitë në Komunën e Gjilanit është realizuar si rezultat i bashkëpunimit që ka Universitetit “Kadri Zeka” me Universitetin e Zug-ut.