Haziri u përgjigjet deklaratave të Pacollit për manipulim me vota

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 16:54 | Nga

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri thotë se subjekti i tyre nuk e ka në kulturën e tyre manipulimin e votave dhe se të njëjtët vazhdimisht kanë qenë viktimë e manipulimeve që janë bërë nëpër procese zgjedhore.

Këto deklarata të zyrtarit të LDK’së vijnë pasi Pacolli mbrëmë e akuzoi partnerin e tyre të koalicionit për vjedhje votash.

Haziri në një prononcim për Express tha se duhet shikuar se çfarë ka ndodhur me votat e pavlefshme dhe të kuptohet që nëse ka pasur manipulime, ato të eliminohen.

“E kam dëgjuar deklaratën e zotit Pacolli dhe mendoj që ai ka qenë jastëzakonisht korrekt edhe për koalicionin parazgjedhor por edhe atë paszgjedhor, ne do të qëndrojmë bashkë, e rëndësishme me pa procesin e ditës D, pra dita D nënkupton 11 qershorin se si ka vajtur puna a ka pasur telashe dhe me vetë faktin që ka shumë vota të pavlefshme dhe ka dyshime dhe duhet me nxjerr përfundime pse ka ndodhur ato vota të pavlefshme por LDK është sjell korrekte në raport me procesin zgjedhor dhe nëse ka pasur defekte e lëshime ne do t’i shikojmë”, është shprehur Haziri, derisa ka shtuar se edhe vetë ata kanë dyshimet për manipulime që janë bërë në votat e tyre.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollika hedhur akuza të rënda për partnerin më të madh të koalicionit LAA, LDK-së.

Ai mbrëmë tha LDK ka abuzuar me votat për deputet brenda koalicionit LAA.

E për këtë nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri tha se ata i kanë dyshimet e tyre për manipulime të votave por AKR si partner i koalicioni sipas tij, është sjell jashtëzakonisht korrekt dhe nëse do të identifikohen raste të tilla ai tha se do t’i eliminojnë.

“LDK përfundimisht nuk e ka kulturën e manipulimit, ne jemi viktima të proceseve zgjedhore edhe në të kaluarën besoj edhe në të tashmen. Ne do të qëndrojmë bashkë me AKR e Alternativen dhe këtë do e dëshmojmë edhe pas certifikimit të rezultateve”, ka përfunduar ai.

Ndërkaq, sa i përket rezultateve të zgjedhjeve, KQZ ka njoftuar se sot në ora 14:00, do të publikohen ato përfundimtare.

Vendi shkoi në zgjedhje më 11 qershor, pasi Qeveria ‘Mustafa’ u votua që të rrëzohet nga Parlamenti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme