Promotori i Anthony Joshuas, Eddie Hearn, ka thënë se do të bëjë çdo gjë për të aranzhuar meçin për unifikim të gjithë titujve të mëdhenj në peshën e rëndë në boksin profesionist mes Joshuas e Tyson Furyt.
Hearn thotë se është meçi që të gjithë duan të shohin.
Britaniku Fury fitoi titullin WBC të shtunën mbrëma duke e mposhtur me nokaut teknik në raundin e shtatë amerikanin Deontay Wilder.
Joshua ka tre titujt tjerë të mëdhenj të peshës së rëndë (WBA, WBO dhe IBF).
“Unë ju premtoj se ky meç do të ndodh. Ne besojmë se do të fitojmë këtë meç, ata besojnë se do të fitojnë këtë meç, kështu që të shohim”, ka thënë Hearn për “Sky Sports”, transmeton Koha.net.
Fury pritet që fillimisht të ndeshet në meçin e tretë me Wilderin, pasi amerikani ka konfirmuar planin për të aktivizuar klauzolën për meçin e tretë.
Hearn ka thënë se nëse ndodh kjo, atëherë Joshua 30-vjeçar do të përballet me Kubrat Pulevin, kundërshtarin e detyrueshëm sipas versionit IBF. Meçi është raportuar se do të mbahet më 20 qershor në stadiumin e futbollit të Tottenhamit.
Hearn ka shtuar se të gjithë preferojnë që meçi mes Joshuas e Furyt të mbahet në verë e jo në dimër.
“Joshua më ka telefonuar dhe më ka pyetur se si mund të realizojmë këtë meç. Nëse duhet të ndeshemi me Pulevin, atëherë do ta mposhtim atë dhe nëse Fury duhet të luftojë me Wilderin sërish, atëherë duhet ta mposhtë atë. Por, jam i bindur se këto do të realizohen”, ka thënë Hearn.