43 ndërmarrës të bizneseve të vogla dhe të mesme nga Vushtrria, sot kanë përfituar përkrahje direkte nga projekti i përbashkët i HELP-it gjerman, që është bashkë financuar me rreth 90 mijë Euro nga Qeveria gjermane dhe Komuna e Vushtrrisë.
Duke falënderuar qeverinë gjermane për mbështetjen me këtë projekt shumë të qëlluar, kryetari i Komunës Bajram Mulaku, ka kërkuar nga bizneset përfituese që të punojnë që ky investim të jetë projekt i qëlluar, i qëndrueshëm dhe që pajisjet që përfitojnë nga ky donacion të përdoren për zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre.
Mulaku tha se në strategjinë për zhvillimin ekonomik, komuna ka për synim mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, prandaj shtoi se “kjo përvojë shumë e mirë e mbështetjes së bizneseve do të vazhdoj edhe në të ardhmen, ku komuna do të rris fondet për grante direkte për bizneset vushtrriase”.
Ndërsa Shqipe Breznica, koordinatore e projektit të HELP-it në Kosovë, tha se në konkurrencën prej 443 aplikacioneve, komisioni ka përzgjedhur idetë më të mira. Ajo bëri të ditur se pas nënshkrimit të kontratave, HELP-i do të hap tender për blerjen e pajisjeve të kërkuara nga bizneset e më pas do të filloj edhe shpërndarje e pajisjeve. Arta Haxhaj, drejtoreshë e drejtorisë për zhvillim ekonomik, bujqësi dhe zhvillim rural në Komunën e Vushtrrisë, uroj që ky të jetë vetëm fillimi i suksesit për ndërmarrjet përfituese.
Në mesin e ideve që janë përkrahur nga ky projekt kryesisht janë bizneset që merren me bujqësi, zejtari, por ka edhe shërbime këshillimore profesionale.