Vetëm në pjesën e parë hendbollistet e Kosovës u kanë bërë ballë deri diku sulmeve të Gjermanisë. Në pjesën e dytë Gjermania ka dominuar plotësisht dhe ka shënuar fitore të thellë në fund.
Ndeshja Kosova – Gjermania përfundoi me rezultatin 34:15 në të mirë të gjermaneve. Ishte kjo ndeshja e dytë e fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020” në hendboll për femra. Gjermania nuk pritet të ketë telashe për t’u kualifikuar në Evropian, ndërkohë që për Kosovën arritja e ndonjë pike do të ishte sukses shumë i madh, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kosova ditë më parë pësoi nga Sllovenia në Maribor, ndërsa nuk është pritur të jetë ndryshe as të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku u luajt takimi me Gjermaninë, që ka lojtare me përvojë e po ashtu suksese të ndryshme. Në pjesën e parë lojtaret e Kosovës u mbajtën më mirë dhe në dy raste kishin epërsi prej një goli. Në minutat e fundit të pjesës së parë epërsia e gjermaneve u rrit dhe pas 30 minutave lojë rezultati ishte 14:8 për mysafirët.
Në pjesën e dytë u vërejt cilësia e gjermaneve, por edhe fondi fare i limituar i Kosovës. Gjermanet shtrinë dominimin dhe lehtë arrinin te goli, ndërkohë që lojtaret e Kosovës shënonin me shumë vështirësi. Kapitenja Leonora Demaj ishte më efikasja te Kosova. Në fakt, ajo realizoi shumicën e golave, 10 prej 15. Te Gjermania shtatë gola i shënoi Evgenija Minevskaja.