Kupa që ngriti lart Jon Muqolli të dielën mbrëma, për nga pamja ishte e ngjashme me shumë të tjera që ngrihen lart nga sportistë kosovarë. Por Kupa që me krenari e mbante në dorë kapiteni i përfaqësueses U-21 të Kosovës në hendboll ka siguruar një sukses që deri më tash nuk e kishte sporti kosovar – paraqitjen në kampionat botëror në sportet ekipore.
Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në korrik të këtij viti do të luajë në botërorin që mbahet në Spanjë, një vend me qëndrim jo gjithnjë miqësor për sportistët kosovarë, shkruan sot Koha Ditore.
Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll ka fituar titullin e kampionit në garën IHF Trophy Intercontinental, që për herë të parë siguronte pjesëmarrjen në botëror. IHF Trophy Intercontinental është garë e IHF-së që për qëllim e ka zhvillimin e sportit të hendbollit. Për përfaqësuesen e Kosovës ka shërbyer si rrugë alternative për të arritur suksesin, që përfaqësuese të tjera të vendit nuk e kanë pasur deri më tash. Kosova në finale e mposhti Taipein Kinez, ndërsa kishte mposhtur atë përfaqësuese edhe në ndeshjen e parë të turneut. Nigeria e Paraguai ishin përfaqësueset e tjera që u mposhtën në ngjarjen e mbajtur në Prishtinë. Në grupmoshën U-21 e U-19 u paraqitën nga gjashtë përfaqësuese që kanë fituar garën IHF Trophy në nivel kontinentesh. Kosova ka fituar për Evropë, me të dy grupmoshat.
Në Federatën e Hendbollit të Kosovës vlerësojnë se FHK-ja me sigurimin e botërorit me përfaqësuesen juniore vetëm ka vazhduar të jetë prijëse e proceseve në sportin kosovar. Ndër të tjera klubet e hendbollit kanë filluar me paraqitje në gara evropiane plot një dekadë para klubeve të sporteve të tjera: futbollit, basketbollit e volejbollit. Garimi i hershëm në Evropë i klubeve nuk ka pasur ndikimin e pritur, por paraqitja në botëror vlerësohet se do t’i japë hov zhvillimit të hendbollit në vend.