Këshilltari i u.d së presidentit Vjosa Osmani, Artan Murati ka reaguar pasi qeveria në detyrë e Avdullah Hotit ka marrë sot vendim që të hiqet ora policore dhe ata që hynë në Kosovë të kenë testin PCR negativ.
Murati ka thënë se si është e mundur që testi PCR të kërkohet pikërisht tash kur ka flukt të mërgimtarëve.
“Dmth Qeveria në detyrë merr vendim sot (pika 3), që të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në Kosovë duhet të kenë test negativ jo më të vjetër se 72 orë, ose duhet të izolohen për 7 ditë. Kam pesë pyetje: E para, si është e mundur të merret një vendim i tillë pikërisht në këtë kohë, kur dihet që kemi fluks të bashkatdhetarëve që veçse janë nisur për Kosovë dhe janë rrugës, pa e pasur informatën për posedim të testit negativ”, ka shkruar ai.
Murati ka thënë po ashtu se në rast të mungesës së testit dhe si rrjedhojë e izolimit a do të thotë kjo se atyre po u mohohet e drejta e votës.
“E treta, në rast të mungesës së testit, e si rrjedhojë e izolimit, a i bie që këtyre qytetarëve po u mohohet e drejta e votës të dielën? E katërta, a do t’ua paguaj ky formacion i qeverisjes në detyrë dënimet potenciale bashkatdhetarëve tanë, nëse potencialisht do ta thyenin masën e izolimit dhe karantinës dhe do të dilnin ta ushtronin të drejtën e tyre fondamentale për të votuar”, ka shkruar Murati