Ka kaluar më shumë se një vit që kur Kosova vendosi taksën 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake.
Profesori universitar Muhamet Mustafa, thotë për Ekonomia Online se taksa 100 për qind ndaj Serbisë duhet të evitohet vetëm nëse kushtëzohet me marrëveshjet e tjera që Serbia nuk po i zbaton karshi Kosovës.
Ai thotë se reciprociteti i plotë do të ishte mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur Serbisë.
“Heqja e taksës duhet të kushtëzohet me disa gjëra që janë rregullimi problemit të energjisë dhe disa gjërave të tjera që Serbia nuk i zbaton në marrëveshje. Para së të hiqet taksa duhet të merren të gjitha masat për me zbatua reciprocitetin me Serbinë. Të gjitha aktet normative dhe paralelisht me zbatimin e masës së reciprocitet taksa mund të evitohet”, thotë Mustafa.
Ndër të tjera, Mustafa thotë se Kosova ka nevojë për rritjen e investimeve për gjysmë miliardësh në vit, e veçanërisht duhet të fuqizohet sektori privat.
Profesori Mustafa potencoi me ligjin e ri të pagave janë rrezikuar investimet publike.
“Duhet të bëhet një vend ku zbatohet ligji, ku bizneset janë të mbrojtura si dhe kontratat në mënyrë që të kemi më shumë investitor privat dhe të rritën investimet publike. Me ligjin e ri të pagave janë rrezikuar edhe investimet publike në Kosovë. Pritet për t’u parë, ne i kemi parë deklaratat e tyre, ne kemi për detyrë me monitorua dhe të japim propozimet. Presim rezultatet”, u shpreh njohësi i ekonomisë për EO.
Ai pret rezultate nga Qeveria Kurti lidhur me rritjen e investimeve dhe njëkohësisht rritjen ekonomike të vendit.
“Ne kemi disa indikacioni që do të sigurohen disa burime të qëndrueshme si fondi zhvillimor dhe do të jetë një orientim drejt rritjes së zhvillimeve. Do të doja që të fuqizohet më shumë sektori privat. Kosova ka nevojë që të rrisë investimet në përgjithësi përgjysmë miliardë në vjet, së paku investimet publike e private”.