Heqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin,- Ish drejtori i Policisë: Deklarata e Kryeprokurorit befasuese

Prishtinë | 29 Dhj 2023 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Millan Radoiçiqit i ishte hequr urdhërarresti që e kishte para tri viteve.

Kjo ndodhi me pëlqimin e Kryeprokurorit Blerim Isufaj.

Ky i fundit sot e pranoi duke thënë që nuk mund t’i tregoj arsyet.

Megjithatë, ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.

Në lidhje me këtë ka folur ish-drejtori i policisë, Rashit Qalaj.

Ai shprehet i befasuar me deklaratën e kryeprokurorit Isufaj.

Qalaj thotë se në kohën sa ishte drejtor ka pasur urdhërarrest, madje edhe i është bastisur shtëpia Radoiçiqit.

“Me thënë të drejtën për mua është befasi deklarata e kryeprokurorit, për shkak që ne e dimë që ka pas urdhërarrest. Në kohën kur unë kam qenë në krye te policisë atij i është bastisur shtëpia dhe para se me iu bastis ka pasur shkrepje të armëve, ka pas shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës dhe njerëzve të Milan Radoiciqit”, u shpreh ai.

Ish-drejtori dhe deputeti Qalaj tha se çdo person që kërcënon sigurinë në vend duhet të dalë para drejtësisë.

“Çdo person i cili me veprimet e tij me dashje, apo me çfarëdo mënyrë tjetër e kërcënon sigurinë e Kosovës ai duhet gjithsesi të dalë para organeve të drejtësisë, dhe të marr dënimin e merituar. Në asnjë mënyrë nuk duhet që personat e tillë të mos përgjigjen për veprimet që kanë bërë”, deklaroi ai.

Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radocicit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021. Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Të ngjashme