Heqja e vizave për 3 muaj, e pamundur

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 08:46 | Nga

Njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane thonë se deklaratat e kandidatëve për kryeministër se liberalizimi i vizave do të ndodhë pas tre muajve nga ardhja në pushtet janë joserioze.

Sipas tyre, partitë politike më së paku duhet marrë seriozisht në kohë fushate, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kandidatët për kryeministër që garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit kanë filluar me premtime megalomane, duke filluar nga heqja e vizave me BE-në tre muaj pasi që të vijnë në krye të Qeverisë, premtim ky që nuk është realizuar që nga viti 2010 e këndej.

Një premtim i dhënë ditëve të fundit nga kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-“Nisma”, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit ka deklaruar se me fillimin e punës së një komisioni të ri për Demarkacionin, procesi i liberalizimit të vizave s’do të zgjasë më shumë se tre muaj.

“Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës për liberalizim”, ka thënë ai.

Mirëpo, një premtim të tillë njohësit e çështjeve ndërkombëtare dhe të integrimeve evropiane e cilësojnë si jo të realizueshëm në afat tremujor.

E në anën tjetër Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga radhët e “Vetëvendosjes”, ka hedhur poshtë afatin tremujor të liberalizimit të vizave, duke thënë se liberalizimi i vizave do punë për t’u arritur.

“Kjo bëhet më një sundim të ligjit dhe me futjen e kriminelëve të mëdhenj në burg”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme