Analisti Ali Hertica, në një prononcim për gazetën Kosova Sot ka folur për deklarimin dhe përkushtimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Jamess Mattis, për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Sipas Herticës kjo gjë është gjithsesi një lajm madhor për Republikën e Kosovës dhe vetë popullin, por ai thotë se tani është edhe radha e politikës që ta marrë akoma më seriozisht procesin e shtet-ndërtimit, shtetin ligjor dhe ndarjen nga krimi dhe korrupsioni, ose do të vijë një ndëshkim i rëndë ndërkombëtar, sikur që vjen mbështetja serioze për fuqizimin e shtetit të ri.
“Kështu, sekretari Mattis ka deklaruar se para zvogëlimit të pranisë së forcave amerikane në Kosovë vendi duhet t’i kenë forcat vendore kosovare, që kosovarët duhet të kenë mandatin për mbrojtjen e vendit, transformimin nga FSK-ja në Forcën ushtarake, sikur që janë të gjitha ushtritë e shteteve në rajon dhe në botë.
Pra, ky është një deklarim dhe qëndrim zyrtar se tani sa më shpejt duhet të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës. Zvarritja e deritashme është edhe pasojë që politika kosovare dhe vetë ligjvënësi nuk i kanë dhënë shumë rëndësi kësaj strukture. E gjithë kjo ngecje është pasojë e sjelljes së papërgjegjshme nga të gjitha grupet politike që po mundohen të jenë mbretërit e sundimit me ligjin dhe mbi ligjin. Por, ata duhet ta kuptojnë më në fund se ka kaluar koha e fshehjes nën ombrellat e të huajve dhe duke mashtruar qytetarin me veshjen e petkut amerikan.
Tani është koha edhe për qytetarët dhe vetë Amerikën, si aleati më i madh i shtetit të Kosovës, që ta ndëshkojnë të gjithë së bashku këtë klasë politike, shtresën e saj të korruptuar dhe të inkriminuar”, u shpreh Hertica. (Kosova Sot).