Hetime për manipulim me vota edhe në Pejë, po intervistohen disa komisionerë

Prishtinë | 04 Shk 2026 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesin e sotëm ka filluar intervisitimi i komisionerëve lidhur me dyshimet për keqpërdorim të procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.

Tashmë Prokuroria Themelore në Pejë thonë se kanë autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë për të ndërmarrë veprimet hetimore rreth kësaj.

“Prokuroria Themelore në Pejë, ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike. Autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë. Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Më tej thonë se “Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve. Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik lidhur me të gjitha zhvillimet e mëtejshme në këtë proces”.

Të ngjashme