Zyrtarët shtetërorë të cilët kanë tentuar ta fshehin pasurinë e tyre, duke mos e bërë publike për qytetarët, janë futur nën llupën e hetimeve. Nëse Prokuroria e Shtetit gjen elemente të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj tyre mund të ushtrohen edhe kallëzime penale, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Lista e gjatë e zyrtarëve publikë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit të caktuar kohor i ka kaluar Departamentit të Hetimeve pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Kështu ka konfirmuar drejtori i këtij institucioni, Shaip Havolli.
“Shumica e zyrtarëve që nuk kanë dhënë arsyetime nuk kanë pasur dëshmi të mjaftueshme për arsyen pse e kanë vonuar deklarimin, kanë kaluar të gjitha rastet në Departament të Hetimeve. Prej listës së hetimeve ne i filtrojmë ata të cilët kanë dëshmi”, ka deklaruar udhëheqësi i Antikorrupsionit.