Kompania “EL- RI Graphic” me pronare Merlinda Shehu – Kaqi nuk i ishte përmbajtur kontratës në vlerë prej 10 mijë eurosh të nënshkruar me spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë në fund të vitit 2014 për furnizimin me uniforma të punëtorëve të këtij spitali. Kjo ka bërë që Prokuroria Themelore në Gjakovë të hapë hetime ndaj pronares së kësaj kompanie, drejtorit të spitalit Ahmet Asllani dhe disa zyrtarëve të tjerë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj drejtorit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë Ahmet Asllanit, si dhe pronares së kompanisë “EL- RI Graphic” Merlinda Shehu – Kaqi.
Rasti ka të bëjë me një tender në vlerë prej 10 mijë eurosh të fituar nga kompania “EL-RI Graphic” në fund të vitit 2014 për furnizim me uniforma të stafit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Lajmin për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj. Kryeprokurori Selimaj ka thënë se përveç drejtorit të spitalit të Gjakovës dhe pronares së kësaj kompanie, nën hetim janë edhe disa persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Selimajt ka pohuar se javën e kaluar Njësiti i Krimeve Ekonomike në kuadër të Policisë së Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë për parregullsitë që kanë ndodhur gjatë këtij tenderi.