Hetuesit ukrainas janë duke analizuar nëse ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko ka kryer tradhti kur është nënshkruar e ashtuquajtura Marrëveshje e Minskut më 2015, përmes së cilës është synuar që të përfundohet konflikti ushtarak në lindje të Ukrainës.
Zëdhënësja e Zyrës Shtetërore të Hetimeve, Anzhelika Ivanova ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se rasti penal është hapur për mundësinë e kryerjes së tradhtisë nga Poroshenko.
Kjo marrëveshje ka qenë rezultat i negociatave në kryeqytetin bjellorus në mes të liderëve të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës, në shkurt të vitit 2015.
Ajo ishte supozuar që të ringjallte një tjetër marrëveshje të arritur më 2014, pasi po atë vit, separatistët e mbështetur nga Rusia patën nisur sulme në lindje të Ukrainës.
Të dyja marrëveshjet e Minskut bëjnë thirrje për largim të armëve të rënda nga zona e luftës, proces që është vëzhguar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Në mesin e pikave të tjera përmendet edhe shkëmbimi i të burgosurve dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në lindje të Ukrainës.
Përndryshe, Zyra Shtetërore e Hetimeve ka thënë se aktualisht ekzistojnë rreth 13 raste penale të hapura, në të cilat Poroshenko përmendet si i dyshuar, dëshmitar apo person me interes.