Merkel: Gazsjellësi Rusi-Gjermani, i pamundur pa qartësimin e pozitës së Ukrainës

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 16:00 | Nga

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se tubacioni i ri i gazit që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, nuk mund të vazhdojë, pa pasur qartësi për rolin e Ukrainës, si rrugë tranzit për këtë tubacion.

“E kam bërë shumë të qartë se ‘Rrjedha Veriore 2’ është i pamundur pa qartësimin e rolit të Ukrainës”, ka thënë Merkel gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.

Merkel ka thënë se kjo nuk “është vetëm çështje ekonomike, por ka edhe konsiderata politike”.

Në të kaluarën, kancelarja gjermane e kishte quajtur projektin “Rrjedha Veriore 2”, si “projekt krejtësisht ekonomik”, që nuk i duhet asnjë ndërhyrje politike.

Projekti i gazit “Rrjedha Veriore 2”, që kalon nga Rusia përmes Detit Baltik për në Gjermani, do të dyfishonte kapacitetin vjetor të tubacionit ekzistues “Rrjedha Verirore” për rreth 55 miliardë metra kub.

Por, kritikët thonë se kjo gjë do të rrisë varësinë ndaj gazit rus.

Merkel ka këmbngulur se Ukraina do të mbështetet fuqishëm në tarifat që do të paguhen për tranzit.

Në një intervistë për të përditshme gjermane, Handelsblatt më 9 prill, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko i ka bërë thirrje Berlinit që të heq dorë nga ndërtimi i projektit “Rrjedha Veriore 2”, duke thënë se ky projekt do të mundësonte “bllokadë ekonomike dhe energjetike” kundër Ukrainës.

Ai e ka akuzuar Rusinë se është një “partnere e paqëndrushëm”, sa i përket furizimit me gaz, duke thënë se firma shtetërore e gazit Gazprom, ka refuzuar që t’i paguajë Ukrainës miliarda dollarë pas mbylljes së furnizimeve në mes të dimrit.

Polonia dhe vendet baltike kundërshtojnë këtë projekt, ndërkaq zyrtarët amerikanë po ashtu kanë folur kundër tij.

Në janar, në Varshavë, Sekretari i atëherëshëm i Shtetit, Rex Tillerson, kishte deklaruar se “ShBA kundërshtojnë projektin Rrjedha Veriore 2”, duke shtuar se “ne shohim se kjo minon stabilitetin dhe sigurinë energjetike të Evropës dhe i mundëson Rusisë edhe një mjet tjetër për të përdorur energjinë si mjet politik”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme