Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kompania “HIB Petrol” ka dhuruar pajisje për laboratorin dhe mjete shkollore për nxënësit e shkollës fillore “Zenel Salihu” në Fushë-Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Këto pajisje nxënësve të kësaj shkolle do tu shërbejnë për eksperimentet dhe demonstrimin e praktikës në lëndën e Kimisë dhe Fizikës.
Vjosa Bucaliu nga kompania “HIB”, tha se “HIB” përkrahë edukimin e të rinjve për të gjitha komunitetet në tërësi.
“Ne si kompani përkrahim përzemërsisht edukimin e të rinjve dhe të gjitha komuniteteve si tërësi, andaj të gjitha këto lloje të aktiviteteve, do ti përcjellim për së afërmi edhe në vazhdim me përkrahje simbolike. Si anëtare e familjes së madhe “HIB” Petrol shfrytëzoj rastin që të gjithë mësimdhënësve të ju uroj festën e 7 marsit”, tha Bucaliu.
Falënderuese për donacionin e “HIB Petrol” ishte mësuesja Litafete Zymberi. Ajo tha se këto pajisje kanë munguar në këtë shkollë, të cilat sipas saj, do tu shërbejnë nxënësve për eksperimente.
“Unë si arsimtare e Kimisë të kësaj shkolle, ju kisha falënderua kompaninë e juaj për këto reagjent që i keni sjellë, edhe pse jemi të pajisur me disa mjete laboratorike, po këto na kanë munguar se pa reagjent, nuk kemi mujt me zhvillu eksperimente në Kimi. Nxënësit i kemi shumë të mirë, edhe janë shumë të interesuar për eksperimente”, u shpreh Zymberi, raporton Ekonomia Online.
Se nxënësit e shkollës “Zenel Sadiku” janë të interesuar për të bërë punën praktike, e thotë edhe drejtori i kësaj shkolle, Ejup Breznica.
“Ju falënderoj shumë juve kompania “HIB” Petrol për këto pajisje të cilat na kanë munguar shumë, dhe me këto pajisje ne shpresojmë që do të kemi suksese edhe më të mëdha, sepse nxënësit janë shumë të interesuar për laborator”, tha Breznica.
Menaxheri gjeneral i kompanisë “HIB Petrol”, Fisnik Thaqi, tha se kjo kompani për çdo vit ndanë një pjesë të mjeteve për donacione.
“Korporata“HIB” Petrol në plan buxhetin e çdo viti një pjesë të mjeteve e ndanë për donacione dhe meqë në këtë rast e kishim kërkesën nga shkolla Zenel Salihu për tu pajisur me aparatura për laboratorët në Kimi dhe Fizikë ne iu përgjigjëm pozitivisht duke i sjellë ato aparate sot, ne sadopak po mundohemi që të ndikojmë që cilësia e arsimit te nxënësit e kësaj shkolle të jetë sa më e lartë dhe në njëfarë mënyre pjesën teorike të cilët këta nxënës mësojnë ta kenë mundësin ta zbatojnë edhe në praktikë”, tha Thaçi.
Ata të cilët do t’i gëzojnë këto mjete shkollore, u ndanë shumë të lumtur.
Nxënësi Etrit Hasani, tha se kjo është një mundësi e mirë që të mësojnë edhe anën praktike në lëndën e Kimisë.
“Në laborator kemi përfituar dyoksidin e karbonit me qato mjete që i kemi pas dhe në herën tjetër i kemi demonstruar si formohen molekulat me topa me ngjyra të ndryshme për kufizimin e mjeteve që s’kemi pas atëherë kemi mujtë me i bo vetëm këto eksperimente”, tha Hasani.
Përfaqësuesit e kompanisë “HIB Petrol” bënë të ditur se donacione të tilla në shkollat e vendit do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.