Korporata më e madhe kosovare e derivateve HIB Petrol për të parën herë në Kosovë, ka instaluar mbushësin për vetura elektrike. Për më shumë, mbushja e veturave elektrike me rrymë do të ofrohet krejtësisht falas për një vit.
HIB Petrol tashmë ka instaluar mbushësin e veturave elektrike Terra 53 Charger në pikën e saj të derivateve në Çagllavicë tek Hotel Emerald, për të krijuar infrastrukturën e nevojshme e cila mundëson ambientin e pastër, shumë të nevojshëm për vendin tonë.
Mbushësi elektrik i instaluar cilësohet si mbushësi elektrik më i mirë në Evropë dhe Amerikë të Veriut. Pajisja është në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare relevante, duke përfshirë normën EMC Class B, mandatuar për përdorim të sigurt në lokacionet e banimit, zyrave dhe pompat e derivateve.
“Në kohën kur mungesa e ajrit të pastër është shqëtësim i madh i qytetarëve, HIB Petrol ka vendosur që të ofrojë një zgjidhje të re në vend – energjinë e pastër, pa ndotje të ambientit. Mbushësi elektrik të cilin po e ofrojmë falas për qytetarët tanë është vetëm një nga mundësitë e shumta të cilat HIB Petrol do t’i krijojë për të ardhmen” ka thënë Ibrahim Bucaliu, themelues i HIB Petrol.
“Mbushësi i parë elektrik në kryeqytetin tonë është vetëm një pjesë pilot e programit të përgjithshëm të HIB Petrol për investime në ambient dhe energji të pastër”.
Veturat elektrike eliminojnë nevojën për përdorimin e lëndëve djegëse, duke rritur kështu përpjekjet për zvogëlimin e përhapjes së dioksidit të karbonit në ambient.