Ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, i ka “shpëtuar” ndjekjes penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Këto ditë shkalla e parë ka marrë vendim që të pushojë akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër tij, si dhe kundër ish-sekretarit të MASHT-it, Xhavit Dakaj.
Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtari Valon Kurtaj, ka konsideruar se nuk ka elemente se Buja dhe Dakaj kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në vitin 2012.
Ndërkaq, siç ka mësuar “Koha Ditore”, aktakuza vazhdon të jetë në fuqi për dy të akuzuarit e tjerë, ndaj drejtorit të Prokurimit në MASHT, Xhemajl Buzuku, si dhe ndaj pronarit të kompanisë OE “Alb- Architect”, Afrim Demiri. Në këtë rast gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale, me të cilat ngarkohen.