Autoritetet komunale të Prizrenit, të premten, kanë njoftuar se kallëzimi penal i paraqitur muaj më parë ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli është hedhur poshtë. Sipas tyre raste të ngjashme janë përjetuar edhe në të kaluarën, me ç’rast kallëzimet penale të paraqitura për çështje procedurale ndaj zyrtarëve të lartë komunalë janë hedhur poshtë meqë nuk ka pasur bazë ligjore. Njëherësh është theksuar se për paditë e tilla, në të ardhmen do të kenë edhe kundërpadi nga Komuna e Prizrenit.
Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve është njoftuar për shuarjen e hetimeve ndaj tij.
“Po bëhen disa muaj nga koha që opinioni u informua për një kallëzim penal që u ngrit ndaj meje lidhur me një objekt në qendrën historike. Këto ditë u njoftuam se është shuar hetimi. Përderisa një pjesë e objektit kishte leje ndërtimore, një pjesë e tij ishte e ndërtuar gjatë vitit 2020. Pronarët e objektit më akuzuan për keqpërdorim të detyrës vetëm për shkak se nuk e trajtuam kërkesën e tyre me Ligjin e legalizimit, ku në fushëveprimin e ligjit shumë qartë na tregohet se asnjë ndërhyrje pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit nuk trajtohet dot”, ka thënë ai gjatë konferencës për media.
Kizolli ka shtuar se që nga dita e parë e punës i ka ofruar bashkëpunim qytetarëve, me bindjen se një pjesë e tyre ishin viktima: të ligjeve në fuqi, të planeve në fuqi apo edhe të interesave klanore-politike.
“Thjeshtë një dorë politike apo institucionale këta qytetarë thuajse i kishte hedhur në zjarr. Me përgjegjësinë e pozitës ua zgjatëm dorën për t’i shpëtuar ata nga zjarri, por e vërejtëm se nga humbja e besimit tek institucionet disa vazhdojnë ta refuzojnë dorën tonë të bashkëpunimit. Ne nuk jemi prej atyre që për interesa tona personale ta hedhim shtetin dhe shoqërinë në zjarr, por për shoqërinë e për shtetin me vetëdije e hedhim veten në zjarr”, është shprehur Kizolli.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se qeveria e tij që nga ditët e para është përballur me shumë akuza dhe shumë kallëzime penale, të bëra nga oponentët politikë.
“Në shumë media këto janë paraqitur si aktakuza që nuk është e vërtetë. Në këtë aspekt edhe personalisht kam qenë i përballur me shumë kallëzime penale dhe faktikisht një pjesë të kohës u dashtë me shku në hetuesi edhe me dhanë deklarata. Por kjo ka qenë edhe më e theksuar për disa drejtori, ku drejtorët edhe për punën që e kanë bërë sipas ligjit, faktikisht për zbatimin e ligjit, si është rasti i drejtorit të DUPH-së, Beni Kizolli, vetëm pse ka implementuar ligjin është përballë me palën edhe i është bërë kallëzimi penal. Shumica e këtyre nuk kanë pas bazë ligjore, edhe këtu duhet ta informojmë opinionin, dhe shumica janë hedhur poshtë dhe janë pushuar hetimet”, ka thënë Haskuka.
Sipas tij, deri më tani Komuna e Prizrenit nuk ka bërë kundërpadi dhe kërkesë për kompensim për kohën e humbur si dhe për dëmtim të imazhit.
“Por nga sot edhe si Komunë, edhe personalisht si kryetar i Komunës do të merren me të gjitha këto ngase njëherë po del lajmi se është ngrit kallëzimi penal, pastaj po hidhet poshtë, pastaj askush nuk po e shikon a është hedhur poshtë apo jo. Rasti i fundit, p.sh. ka qenë për çështjet e punësimit, ku për drejtoreshën Sevil Kazaz, drejtorin Osman Krasniqi dhe drejtoreshën Xhemile Thaçi-Vezgishi, pasi që janë bërë hetimet është parë që kallëzimet penale nuk kanë bazë dhe janë hedhur poshtë”, ka deklaruar Haskuka. Tutje ka shtuar se për procedura të caktuara administrative, Komuna krijon komisione dhe ngritja e kallëzimeve penale ndaj anëtarëve të këtyre komisioneve është përpjekje për “mos me lejuar Komunën të punojë”.
Ai ka pohuar se edhe rasti i drejtorit Kizolli ka pas të bëjë me mbrojtjen e Qendrës Historike, sipas ligjeve në fuqi, dhe se “ka pas probleme me ministritë përkatëse, edhe në fund pala i ka ngritur kallëzim penal”.
pati dalë në media që drejtori është nën aktakuzë, gjë që nuk është e vërtetë. Në fund është verifikuar që drejtori ka zbatuar ligjin dhe nuk ka pas kurrfarë shkelje ligjore”, ka theksuar Haskuka, teksa ka shtuar se qëllimi i këtyre praktikave është më shumë mediatik, për ta njollosur qeverisjen komunale të Prizrenit.