Hiqen kërcënimet për çnjohje, Presidenti i ri çek njeh dhe e mbështet Kosovën

Prishtinë | 19 Maj 2023 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Me zgjedhjen e Presidentit të ri çek është mbyllur qasja jo e qëndrueshme e këtij shteti ndaj pavarësimit të Kosovës. Petr Pavel, me sfond ushtarak dhe i angazhuar në NATO, është tash President i Çekisë. Ndryshe, prej ish-Presidentit Milosh Zeman, Pavel është përkrahës i Kosovës.

Milosh Zeman vizitën e fundit zyrtare e bëri në Beograd, për t’i shprehur simpatinë personale popullit serb. Me largimin e tij, u larguan edhe mëdyshjet rreth qëndrimit të Çekisë ndaj pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i ri është Petr Pavel. Një veteran i misioneve paqeruajtëse në Ballkan, që përfundoi karrierën e tij ushtarake si Komandant i forcave çeke dhe kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s, përfaqëson të kundërtën e Zemanit. Si lider i deklaruar pro-Perëndimor, priten ndryshime të mëdha në Zyrën e Presidencës çeke dhe në politikën e jashtme të shtetit.

Kosova ka misionin e saj në Pragë, por Presidenti që sapo është larguar Zeman për shkak të qëndrimit të ndaj pavarësisë ka refuzuar ta pranojë Ambasadorin për t’i pranuar letrat kredenciale. Zeman kishte refuzuar të dërgojë po ashtu Ambasador në Kosovë. Të dyja palët diplomatët deri më tani i kanë pasur me statusin e të ngarkuarit me punë. Në prill, siç është raportuar qeveria çeke për herë të parë e ka diskutuar emrin e diplomatit që do ta dërgojë në Kosovë, në rang ambasadori.

Përgjatë dekadave, Kosova është një prej pikave përplasëse në politikën e brendshme çeke. Viteve të fundit kishte vazhdimisht dy qëndrime të kundërta mes Qeverisë, që përkrahte pavarësinë e Kosovës dhe Presidencës së Zemanit, që kërcënonte kohë pas kohe me tërheqje të njohjes. Një skenar i ngjashëm, vetëm se me role të kundërta, kishte ndodhur edhe në vitin 1999, kur u mor vendimi për bombardimin e Serbisë. Presidenti i atëhershëm, Vaclav Havel, ishte rreshtuar me Perëndimin, ndërkaq atëkohë Kryeministër ishte Millosh Zeman, ndërkaq Kryeparlamentari, pashtu kundër, ishte Vaclav Klaus.

Kur Kosova shpalli pavarësinë, në Çeki, Qeveria ishte pro saj dhe e njohu atë si shtet të pavarur, ndërkaq President ishte Klaus, që refuzonte ta akreditonte ambasadorin kosovar.

Me inaugurimin e Pavelit, si President i ri, Qeveria dhe Presidenca çeke kanë qëndrime të njëjta ndaj Kosovës.

Pavel ka përkrahur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se pranimi i saj duhet të ndodhë sa më shpejt. Ai po ashtu i ka dhënë mbështetjen shteteve ish-sovjetike që përballen me rrezikun nga sulmi i Rusisë.

Presidenti i tanishëm i Çekisë është marrë me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, sa ishte Udhëheqës i Komitetit Ushtarak të NATO-s, deri në vitin 2018. Ai, si përfaqësues i NATO-s, kishte deklaruar përkrahje për FSK-në.

“Ne jemi të angazhuar për ndërtimin e kapaciteteve. Ekipi ynë Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s do të luajë një rol kyç në këto përpjekje, duke përfshirë edhe mbështetjen ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kemi rënë dakord të rrisim bashkëpunimin tonë në disa fusha, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike dhe luftën kundër korrupsionit”

Ndërkaq, gjatë një vizite në Beograd, ai kishte folur për çështjen e bombardimeve të Serbisë, duke thënë se “jeta vazhdon” dhe se “armiqtë kthehen në miq”.

“Unë i kuptoj ndjenjat ndaj NATO-s, sidoqoftë, jeta vazhdon dhe shumë armiq bëhen miq pas konfliktit. Ne nuk i frikësohemi ndikimin rus në Serbi, por ne shqetësohemi sa herë që ndikimi rus kalon kufijtë dhe përzihet”, kishte thënë Pavel në vitin 2018.

Pavel mposhti kandidatin populist Andrej Babis. Sipas një përshkrimi të BBC-së, gara mes tyre është portretuar si një rivalitet mes oligarkisë populiste dhe liberal-demokracisë.

Presidentin e ri e ka uruar Presidentja Vjosa Osmani, duke shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me të.

Të ngjashme