Prijësit çamë në Revolucionin Grek

Prishtinë | 27 Sht 2016 | 09:44 | Nga

Ndonëse pjesëmarrja e shqiptarëve (çamëve) për pavarësinë e Greqisë është e njohur gjerësisht, në burimet greke anashkalohet apo minimizohet ky kontribut.

Ishin kapedanët shqiptarë të Çamërisë në shërbim të Ali Pashës, që i dhanë Greqisë së re trimat më të shquar në luftë për pavarësi: Noti Boçari, Kostandin Boçari, Marko Boçari, K.Xhavella, Jorgji Dhrako, Danglli, Llambro Vejko, Jani Gjeli, Tushi Zerva, (August Febre, “Historie du siège de Messolonghi”, Paris, 1827, f.209).

Fatkeqësisht, disa historianë e publicistë grekë ia atribuojnë vetëm helenëve Revolucionin Grek e nuk theksojnë që në atë revolucion shumë shqiptarë luftuan trimërisht për pavarësinë e Greqisë. Kjo nuk ishte një rastësi. Gjithmonë popullin shqiptar dhe atë grek i ka lidhur miqësia.

Engelhardt-i, duke folur për kontributin e shqiptarëve në Kryengritjen Greke për pavarësi, shkruan se në Shqipërinë e Poshtme “lindi pavarësia greke, se Boçarët, Karaiskaqët, Miaulët (…) ishin shqiptarë”, (Tarih-i, Lufti, CIS, 13; “Enciklopedie de Islam”, Vëll.I, f.229-264).

Në prag të Revolucionit Grek, kapedanët e Sulit, me forcat e tyre dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë ishin në radhët e forcave osmane, të joshur nga premtimet që kishin marrë nga Porta e Lartë se suliotët, pas fitores së osmanëve mbi Ali Pashën, do të ktheheshin në vatrat e tyre në Sul dhe bejlerëve çamë do t’u ktheheshin çifligjet që u kishte grabitur Ali Pasha.

Megjithëse të krishterët shqiptarë të Sulit, si dhe bejlerët myslimanë ishin skeptikë ndaj premtimeve me të cilat i joshte Porta e Lartë, ata i mbante një shpresë e vogël dhe kjo i bënte të luftonin përkrah forcave osmane, kundër forcave të Ali Pashës, armikut të tyre të vjetër, që ishte drejt një fundi tragjik. Ndërkohë, pabesia e Portës nxori krye.

Krye-gjenerali turk thërriti kapedanët e Sulit dhe u komunikoi se Porta e Lartë, pas fitores ishte e gatshme t” kthente suljotët dhe familjet e tyre në fshatrat e Frarit, në çifligjet e bejlerëve të Margëlliçit e të Paramithisë dhe nuk do t’i lejonte kurrë të ktheheshin në Sulin e tyre të dashur, në vatrat e tyre, që e kishin braktisur që në dhjetor të vitit 1813, (Spiro Mela, “To lintari tis Ipirou Ali Pasias, qe Suoli…”, Parames 21 Athinë, 1970, f.388).

Kapedanët çamë braktisin Turqinë për Revolucionin Kjo deklaratë bombë e krye-gjeneralit osman i dëshpëroi shumë kapedanët e Sulit, si dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë. Ali Pasha, që njihej si një mjeshtër i përsosur për të shfrytëzuar lëkundjet e kundërshtarit, ndërhyri me anën e njerëzve të tij, për të njoftuar kapedanët e Sulit dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë që të krijonin një aleancë kundër forcave turke, që përditë e më tepër po i afroheshin portave të Janinës.

Pashai u ofronte aleatëve të rinj, jo vetëm premtimet që u kishte dhënë Porta, por luftëtarëve edhe rroga më të mira sesa ato që merrnin nga Turqia… Pas shumë hezitimesh, suljotët pranuan. Ata, më 3 dhjetor 1820, u larguan nga forcat sulltanike, duke braktisur pozicionet, dhe kaluan në anën e forcave të Ali Pashës.

Suljotët, sapo kaluan në anën e Aliut, më 4 dhjetor, ndërmorën sulme të forta kundër forcave osmane duke u shkaktuar humbje të mëdha. Fitoret e suljotëve përkuan me shpërthimin e Revolucionit Grek, prandaj ato patën jehonë të gjerë në të gjithë Greqinë dhe u bënë burim frymëzimi i popullit helen për pavarësi. Ndërkohë, Ali Pasha urdhëroi që më 12 dhjetor 1820 të hynin në Sul.

Ky lajm i gëzoi shumë suljotët dhe kthimi në vatrat e tyre pas 13 vjetësh, ishte një ngjarje e shënuar. Ata tashmë do të shkelnin pragjet e shtëpive të tyre, do të preknin me dorë çdo pëllëmbë toke, që e kishin larë me gjak.

Ali Pashë Tepelena mashtron çamët e Sulit

Për fat të keq, gëzimi dhe ndjenja e kënaqësisë që përjetuan suljotët në vatrat e tyre, nuk zgjati shumë. Koha tregoi se Aliu, si gjithmonë, nuk i mbajti premtimet që u kishte dhënë suljotëve, që tashmë ishin dhe aleatë të tij. Ai lejoi të futeshin ata në Sul, por pikat më të rëndësishme strategjike, siç ishte Kështjella e Qafës, nuk e lëshoi të vihej nën kontrollin e suljotëve, por u mbajt nga 60 forca të përzgjedhura të Ali Pashës . Në gjuhën e thjeshtë, kjo donte të thoshte se Ali Pasha i kishte mashtruar edhe këtë herë çamët e krishterë të Sulit.

Tashmë suljotët, pas mashtrimeve të Portës së Lartë, provuan edhe një herë pabesinë e vezirit plak. Në këto rrethana suljotët, pa asnjë hezitim, u bashkuan me forcat kryengritëse greke, aleat i të cilave ishte edhe Ali Pasha, kundër Hurshit Pashës, që tashmë kishte ardhur në krye të forcave turke në Greqi.

Çamët manifestonin ndjenja dashurie dhe solidariteti ndaj helenëve, ndërkohë që sundimi shekullor osman kishte kultivuar thellë tek shqiptarët çamër ndjenjën e pavarësisë.

Në vigjiljen e Revolucionit Grek, kur Hurshid Pasha vazhdonte ta ngushtonte rrethimin e Janinës. Perovoji arriti në Sul, i cili në emër të Ipsilantit, kryetar i Revolucionit Grek, i ftonte suljotët të luftonin për liri dhe të ndikonin tek muhamedanët shqiptarë të kalonin në anën e Revolucionit Grek, se edhe Ali Pasha ishte mbështetës i revolucionit. (K.Biris, vep.e përm., f.345)…

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme