Në marsin e vitit 2018, shteti i Kosovës kishte arrestuar e më pas deportuan 6 qytetarë turq për në Turqi. Ata u depërtuan për në vendin e origjinës nën masa të rrepta policore, ani pse shumica nga ta kishin vite që qëndronin e punon në Kosovë.
6 turqit dyshoheshin se ishin pjesë e rrjetit Hizmet, që udhëhiqet nga kleriku Fethullah Gylen, të cilin Turqia e njeh për organizatë terroriste.
E tri vite pas ngjarjes, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për Driton Gashin, ish-shefin e AKI-së atëkohë, Valon Krasniqit, drejtorit në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare, shkruan Reporteri.net.
Por si kishte ndodhur depërtimi i 6 turqve që në media u njoh si rasti i Gylenistëve
Gjithçka filloi me 29 mars të 2018, kur në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës kishte udhëhequr një operacion policor në Prishtinë, Prizren, Gjakovë e Lipjan.
Target i këtij operacioni ishin pjesëtarët e rrjetit të Gylenit, disa nga ta mësues në shkollën ‘Mehmet Akif’ në Lipjan e Gjakovë e të tjerë zyrtarë të Fondacionit Gylestan.
Operacioni ishte udhëhequr nga Policia e Kosovës e asistuar në AKI.
Nën pranga përfunduan Yusuf Karabina, Cihan Oguzkan, Kahraman Demirez, Hasan Huseyin Gunakan, Mustafa Erdem, të gjithë mësimdhënës në ‘Mehmet Akif’.
Bashkë me ta u arrestua edhe Osman Karakay, kardiolog që punontë në një spital privat në Prishtinë.
Alarmin për arrestimin e 6 gylenistëve e dhanë shpejt familjarët e tyre.
Reagimet e para
Të parët që reaguan për gylenistët ishin liderët kosovar.
Në ditën e aksionit, Ramush Haradinaj, që udhëhiqte Qeverinë e Kosovës, në deklarimin e parë tha se nuk kishte informacione për rastin.
Njëjtë si Haradinaj, edhe Kadri Veseli deklaroi se nuk dinte asgjë për operacionin që kishte ndodhur më 29 mars.
Edhe Hashim Thaçi, atëkohë president i Kosovës, kishte deklaruar se ishte i painformuar për operacionin e Policisë.
Opozita, që udhëhiqej nga LDK dhe LVV, kishte kritikuar ashpër aksionin duke kërkuar hetim të hollësishëm për rastin.
Deportimi i 6 gylenistëve, shkarkimet
6 turqit e arrestuar u dëbuan në të njëjtën ditë për në Turqi, me një avion që kishte ardhur special për t’i marrë ata.
Më vonë u zbulua se Birlesik Insaat, kompani ndërtimore turke, kishte vënë në lajthitje institucionet e vendit duke keqpërdorur lejen që Ministria e Infrastrukturës i kishte dhënë për aterim, shkruan Reporteri.net.
Por gjatë ditëve të para u mor vesh se njëri nga 6 të arrestuarit ishte dëbuar gabimisht, pasi që në vend të Hasan Huseyin Demir ishte deportuar Hasan Huseyin Guhnakan.
Në media u raportua se Guhnakan tentoi t’ua shpjegojë autoriteteve kosovare gabimin që kishin bërë, por pa sukses.
E njëri nga të arrestuarit kishte edhe nënshtetësinë shqiptare.
Haradinaj, që ishte kryeminsitër i vendit, pas operacionit shkarkoi Ministrin e Brendshëm, Flamur Sefajn dhe Driton Gashin, Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, shkruan Reporteri.net.
Përplasja Erdogan-Haradinaj
Në krejt këtë përplasje nuk e la pa u përfshi edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ai në një miting me simpatizantët e tij në Stamboll kishte kritikuar ashpër Ramush Haradinajn, i cili ishte pozicionuar kundër dëbimit të 6 turqve.
E nuk përtoi ta falënderonte Thaçin.
”Kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës i largoi nga detyra personin në krye të inteligjencës dhe ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë? Falënderoj Presidentin e Kosovës, por kryeministrit i them ‘turp”, deklaronte Erdgoan, përcjellë Reporteri.net.
Haradinaj ia ktheu ashpër duke i thënë Presidentit Erdogan të mos ndërhynte në punët ë Kosovës.
E më vonë u kuptua se Turqia kishte dërguar një listë të gjatë me emrat e pjesëtarëve të Hizmetit, që ajo i konsideronte si terroristë.
Komisioni hetimor i Parlamentit të Kosovës
Opozita në Kuvend, LVV e LDK, formoi një komision hetimor parlamentar për të zbardhur rastin e depërtimit të 6 gylenistëve, i udhëhequr nga Xhelal Sveçla, deputet i VV-së.
Në Komisionin Hetimor deklaratat e tyre i dhanë Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Shpend Maxhuni, Drjetor i Policisë, Driton Gashi, shef i AKI-së e shumë zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës.
Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq arriti t’i evidentojë 31 shkelje ligjore në planin 17 ditorë të AKI-së në këtë operacion.
E raporti i hartuar u votua me 59 vota pro në Kuvend.
Reagimet ndërkombëtare për rastin e Gylenistëve
Organizata e Kombeve të Bashkuara e kishte cilësuar arrestimin dhe dëbimin e 6 turqëve si të paligjshëm.
Tutje Raporti i Grupit Punues të OKB-së mbi ndalimet arbitrare kishte theksuar se në këtë rast kishte shkelje të rënda të të drejtave të njeriut nga autoritetet e Kosovës dhe të Turqisë, përcjellë Reporteri.net.
Edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë i cilësonte si shqetësuese shkeljet ligjore, të cilat sipas tyre ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë.
Ky reagim i Ambasadës së ShBA-së ishte përkrahur nga ajo e Britanisë e Gjermanisë.
Fati i 6 gylenistëve të dëbuar
Pjesëtarët e organizatës ‘Hizmet’, që në Turqi njihet si Organizata Terroriste e Fethulah Gylenit, kanë dalë para drejtësisë në vendin e tyre të origjinës.
Pas një gjykimi të shpejtë më akuzën për pjesëmarrje në një organizatë terorriste, 6 të dëbuarit nga Kosova u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim në total.
Aktakuza ndaj Driton Gashit dhe të tjerëve
Pas gati 3 viteve nga dëbimi i 6 gylenistëve, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, Valon Krasniqit, drejtorit në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare.
Në njoftimin e dhenë nga Prokuroria Speciale, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve Driton Gashi, Valon Krasniqi, dhe Rrahman Sylejmani, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.
Prokuroria pretendon se se të pandehurit Gashi dhe Krasniqi, kanë veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri Sylejmani, ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.