Rreth gjysmë milioni euro është historia e një mashtrimi nga një i dyshuar për mashtrim, ku viktima janë disa qytetarë.
Hetimi i mashtrimit gjysmë milionësh ka përfunduar me aktakuzë në vitin 2015. I akuzuari i vetëm në këtë rast, që ka edhe precedentë të tjerë penalë, Rrahim Hashimi, as pas katër vjetëve nuk është përballur në gjyq me akuzat për mashtrim e shantazh që e ngarkonte Prokuroria Themelore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo, pasi që gjykata nuk ka thirrur ende asnjë seancë, sepse, siç ka thënë, ende nuk i ka ardhur radha për trajtim kësaj lënde.
Përshkrimi kronologjik i akuzave për mashtrim nga Rrahim Hashimi përfshin mashtrim për punësim në Policinë e Kosovës e në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, mashtrim në shitblerje të trojeve e mashtrim për të përvetësuar pasurinë e të tjerëve në emër të “shitblerjes”.
Mashtrimi në vlerë të mbi 160 mijë eurove
Personi me inicialet Z.O. nga Fushë-Kosova, në vitin 2013 i kishte në shfrytëzim disa kamionë të tipit “Merceds Benz”. Kamionët, sipas aktakuzës që e ka “Koha Ditore”, ishin pronë e mikut (vëllait të gruas) së tij.
Më datë 21 tetor të vitit 2013, i akuzuari Rrahim Hashimi kërkon nga Z.O. katër kamionë.