Fotografia që shikoni është memorizuar në kujtesën e shumë qytetarëve amerikanë. Nuk është foto e dy të dashuruarve të mbërthyer në një puthje pasionante. Në fakt deri atë ditë ata as që e kishin parë ndonjëherë njëri tjetrin .
Si ndodhi kaq papritur ky afrim magnetik faqe tërë botës? Cila është historia pas kësaj fotografie?
Ishte 14 Gusht, 1945. Marinari Xhorxh Mendoza nuk kishte shumë që ishte kthyer nga shërbimi ushtarak në Paqsor dhe atë ditë kishte lënë takimin e parë me një vajzë, e cila më vonë do të bëhej gruaja e tij. Po rrëkëllente një shishe birrë në banakun e një bari, në ‘Time Square’, kur papritur radiot nga të gjitha anët lajmëruan dorëzimin e Japonisë dhe mbarimin e luftës së dytë botërore.
Thirrje gëzimi të menjëhershme shpërthyen nga godinat e dyqanet përreth. Hare e papërshkrueshme. Njerëzit dolën në rrugë. Xhorxh Mendoza po ashtu. Qe një nga ato momente të rralla kur gëzimi “del nga kontrolli”. Imagjinoni një ushtar që luftën e ka fare të freskët dhe pikërisht atë çast i shfaqet përpara kjo infermiere e re e veshur me të bardha!
Qe njeriu me të cilën e ndjeu veten më të afërt se me këdo tjetër. Uniformat e bardha u dhanë të plagosurve të luftës kujdesin e dashurinë e tyre. Dhe e papritura ndodhi. As ajo vetë (Greta Friedman) nuk e kuptoi se si e përfshinë dy krahë burri dhe ndjeu atë puthje pasionante që u përjetësua në këtë foto bashkë me momentin historik. Ndërkohë vini re në foto që ndërsa ndodhte puthja, pas tyre një vajzë të re, buzagaz, është në të afruar. Është Rita Petri, – vajza me të cilin marinari kishte lënë takim atë ditë tek Radio City Hall.
E intervistuar vite më pas nëse qe bërë xheloze tek shihte Xhorxhin duke puthur një tjetër, ajo u përgjigj: “Jo. Në atë kohë ne nuk njiheshim. Ai qe takimi ynë i parë. Vetëm se kur e kujtoj atë skenë më duhet ta pranoj që Xhorxhi s’më ka puthur mua asnjëherë si atë vajzë të panjohur”.
Sot, ish-infermierja Greta Zimmer Friedman edhe Xhorxh Mendoza janë në moshë të thyer. Atyre u është dhënë rasti të takohen disa herë më pas , por asnjëherë s’u lindi dëshira për të përsëritur atë puthje.
Pa kuptuar ajo qe shndërruar në puthje -simbol e gëzimit të mbarimit të luftës.
Kjo foto është ruajtur ndër dekada e kundrohet si një foto historike. Njerëz të ndryshëm e kanë modifikuar foton duke shtuar veten e tyre në bekgraundin e saj për të thënë që kanë qenë edhe ata në atë ditë atje, në atë vend. Por fotografia origjinale është pikërisht kjo me historinë e vertetë pas saj.